“Killeri” i Çopjave/ Ekstradohet nga Kosova Arben Lamçja, plane për vrasjen e Nuredin Dumanit
arben lamcja
TIRANË- Është ekstraduar nga Kosova për në Shqipëri, Arben Lamçja, i arrestuar dy javë më parë, dhe i etiketuar si ‘killeri’ i fisit Çopja në Elbasan, i dyshuar si vrasës me pagesë.
Lamçja, ka qenë një nga 33 personat për të cilët Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar urdhërarrest, pas zhvillimit të operacionit “Plumbi i artë 2”, që goditi vëllezërit Çopja.
Lamçja u kap në Prishtinë, ku fshihej nën një tjetër identitet, Durim Plaku. Ai përdorej nga grupi i Franc dhe Hajdar Çopja, për të larë hesapet, si vrasës me pagesë dhe dyshohet si i përfshirë në të paktën 5 vrasje të porositura nga grupi kriminal.
Lamçja ndodhej në shoqërinë e një personi tjetër në momentin që ka rënë në pranga, i cili gjithashtu është arrestuar, por ende nuk i është zbardhur identiteti.
Sipas SPAK Në periudhën Tetor-Nëntor 2020 Arben Lam֛çja ka kryer veprime duke siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Nuredin Dumani për llogari të shtetasit Franc Gegely alias Franc Copja, ku është takuar me personin që do të kryente vrasjen.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme kapjeje dhe ekstradimi po kryhen në kuadër të operacionit policor të posaçëm, të koduar “Para drejtësisë”.
I akuzuar nga SPAK, për sigurim të kushteve/mjeteve për të kryer vrasje dhe për pastrim të parave nga veprimtari kriminale, ekstradohet nga Kosova, 50-vjeçari.
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të kërkuar ndërkombëtarisht, A. L., 50 vjeç.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar 50-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. L. ka siguruar kushte/mjete, me qëllim vrasjen e shtetasit N. M., për llogari të shtetasit F. G. alias F. C.. Gjithashtu, dyshohet se për llogari të të njëjtit shtetas, 50-vjeçari ka pastruar para që kanë patur burim veprimtari kriminale.
Vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja alias Hajdar Bako i njohur edhe si “Dari i Elbasanit”, ndodhen në burg jashtë Shqipërisë. Franc Çopja është në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja në Dubai.
Njoftimi zyrtar i SPAK zbuloi se Çopjat kanë porositur të paktën 22 vrasje, katër prej të cilave janë realizuar, duke lënë pas 6 viktima, si: Endrit Alibej, Albert Dylgjeri, Erdal Duranay, Klevis Kapllani, Kelvin Baho dhe Andi Zylyfi.
16 atentate të tjera konsiderohet në dështuara, pasi objektivët kanë mbijetuar, ose në disa raste nuk janë plagosur fare. Realizimi i operacionit erdhi pas rrëfimit të Nuredin Dumanit dhe zbardhjes së bisedave të enkriptuara në “Sky ECC”. /ZËRI
Burimi