“Killeri” i Çopjave/ Ekstradohet nga Kosova Arben Lamçja, me rekorde kriminale edhe në Itali

“Killeri” i Çopjave/ Ekstradohet nga Kosova Arben Lamçja, me rekorde kriminale edhe në Itali

arben lamcja

TIRANË- Është ekstraduar nga Kosova për në Shqipëri, Arben Lamçja, i arrestuar dy javë më parë, dhe i etiketuar si ‘killeri’ i fisit Çopja në Elbasan, i dyshuar si vrasës me pagesë.
Lamçja, ka qenë një nga 33 personat për të cilët Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar urdhërarrest, pas zhvillimit të operacionit “Plumbi i artë 2”, që goditi vëllezërit Çopja.
Lamçja u kap në Prishtinë, ku fshihej nën një tjetër identitet, Durim Plaku. Ai përdorej nga grupi i Franc dhe Hajdar Çopja, për të larë hesapet, si vrasës me pagesë dhe dyshohet si i përfshirë në të paktën 5 vrasje të porositura nga grupi kriminal.
Lamçja ndodhej në shoqërinë e një personi tjetër në momentin që ka rënë në pranga, i cili gjithashtu është arrestuar, por ende nuk i është zbardhur identiteti.

Vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja alias Hajdar Bako i njohur edhe si “Dari i Elbasanit”, ndodhen në burg jashtë Shqipërisë. Franc Çopja është në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja në Dubai.
Njoftimi zyrtar i SPAK zbuloi se Çopjat kanë porositur të paktën 22 vrasje, katër prej të cilave janë realizuar, duke lënë pas 6 viktima, si: Endrit Alibej, Albert Dylgjeri, Erdal Duranay, Klevis Kapllani, Kelvin Baho dhe Andi Zylyfi.
16 atentate të tjera konsiderohet në dështuara, pasi objektivët kanë mbijetuar, ose në disa raste nuk janë plagosur fare. Realizimi i operacionit erdhi pas rrëfimit të Nuredin Dumanit dhe zbardhjes së bisedave të enkriptuara në “Sky ECC”. /ZËRI
Burimi