
Kandidatët për deputetë të PD! Doda në listën e sigurt, Noka mund të lëvizë nga Tirana
Flamur Noka dhe Mesila Doda
TIRANË-Partia Demokratike po shkon drejt finalizimit të listës së kandidatëve për deputetë. Janë ende në negociata e sipër kandidatët e 3 partive të tjera, PDIU, PR DHE PBDNJ, në një kohë që PAA e ka shpallur prej kohësh që do e ketë kandidatin e saj në qarkun e Durrësit. Gazetari Juxhin Mustafaraj ka zbuluar në Top Story disa informacione të reja rreth marrëveshjeve brenda Partisë Demokratike. Ai ka theksuar se Mesila Doda e PDIU-së pritet të marrë mandat nga PD, ndërkohë që Flamur Noka mund të largohet nga lista e Tiranës.
Sipas Mustafarajt, gara në PD ka qenë e përqendruar më shumë në listën e mbyllur, pasi ka pasur më pak mundësi për konkurrencë në listat e hapura. Ai ka shtuar se, nëse PD arrin të ketë të njëjtin rezultat si në zgjedhjet e vitit 2021, vetëm tre individë mund të kalojnë përmes listës së hapur.
Një tjetër çështje e përmendur nga Mustafaraj ka të bëjë me hartimin e listës për qarkun e Tiranës, ku koalicioni me partitë aleate ka detyruar Sali Berishën që të përfshijë disa nga to në listën e hapur. Pjesë e listës së sigurt janë figura si Sali Berisha, Edi Paloka, Flamur Noka, Belind Këlliçi, dhe përfaqësues të Partisë për Liri dhe Drejtësi, si Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho.
“Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ka të bëjë me PDIU-në, ku Mesila Doda është përfshirë në listën e sigurt të PD-së, ndonëse do të propozohet nga PD. Po ashtu, Shpëtim Idrizi pritet të jetë i vetmi kandidat nga PDIU. Mustafaraj shtoi se ka bisedime për mundësinë që Flamur Noka të lëvizë në qarkun e Elbasanit, ndërkohë që emra si Jozefina Topalli janë përfolur për të qenë pjesë e këtij qarku, por ende nuk ka një konfirmim. Krahasuar me Partinë Socialiste, kryesisht gara në Partinë Demokratike dhe opozitë ka qenë më e përqendruar te lista e mbyllur, sepse ka pak vend për garë sa i përket listave të hapura. Nisur nga zgjedhjet e vitit 2021, PD në këtë rast lufton vetëm për tre mandate në listë të hapur, nëse 12 do të jenë në listë të sigurt. Nëse do të marrin të njëjtin rezultat si në vitin 2021, vetëm tre individë do të hyjnë me listë të hapur në listat e PD-së. Ka pasur një problem shumë të madh Tirana sa i përket hartimit të listës, për shkak se koalicioni me partitë e tjera aleate, ka detyruar Berishën që t’i përfshijë ata në listën e hapur të Tiranës. Flasim gjithmonë në listën e sigurt. E para është lidershipi i Partisë Demokratike: Sali Berisha, Edi Paloka, Flamur Noka duket se janë të palëvizshëm. Të gjithë janë në listë të sigurt. Belind Këlliçi do të jetë në listë të sigurt. Meta në dakordësinë që ka rënë me Berishën, do të kandidojë në qarkun e Fierit dhe Tedi Blushi e Erisa Xhixho nga PL-ja do të përfshihen në listën e sigurt të Tiranës. Ajo që le të themi mund të jetë risi dhe e mërkura e ardhshme do e konfirmojë, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, ndryshe çfarë është thënë deri sot në media, ka marrë dy në listë të sigurt dhe jo Idrizin. Mesila Doda do të jetë në listën e Partisë Demokratike të sigurt, por nën propozimin e PD-së, ndërkohë Shpëtim Idrizi do të jetë i vetmi si i PDIU-së. Deri te Besart Xhaferri është lista e mbyllur e Partisë Demokratike. Nëse Mesila Doda qëndron në qarkun e Tiranës, të gjithë më poshtë do të jenë në listë të hapur. Dy persona që mund të lëvizin nga qarku i Tiranës janë sekretari i përgjithshëm i PD-së Flamur Noka, mund të ketë një lëvizje të tij ndoshta në qarkun e Elbasanit. Është përfolur dhe Jozefina Topalli, gjithashtu në qarkun e Elbasanit, por dhe kjo e pakonfirmuar”, tha Mustafaraj.
Afati përfundimtar për dorëzimin e listave pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) është data 12 mars.
Burimi