‘Kam qenë vërdallë’, Gjykata lë në burg biznesmenin, vodhi 15 mijë euro në banesën e mjekut që i mori dhe borxh

‘Kam qenë vërdallë’, Gjykata lë në burg biznesmenin, vodhi 15 mijë euro në banesën e mjekut që i mori dhe borxh

Olsi Bibollari dhe Eqerem hasani

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg biznesmenin Olsi Bibollari, i cili u arrestua dy ditë më parë nga policia, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë prej 15 mijë eurosh në banesën e mjekut Eqerem Hasani. Gjatë seancës në Gjykatë, Bibollari ka mohuar akuzat, duke pretenduar se nuk ka qenë ai që ka hyrë dhe ka marrë paratë në banesën e mjekut.
I pyetur nga gjykata nëse ka një alibi se ku ka qenë në kohën që dyshohet se është kryer grabitja, Bibollari është shprehur se nuk e mbante mend dhe duhej të kujtohej, por ishte vërdallë nëpër Tiranë.
Prokuroria ka kërkuar masë arresti për 30 ditë, e cila u pranua nga gjykata. Po ashtu pritet të bëhet askt-ekspertimi për të mbledhur prova të tjera hetimore që do t’i vijnë në ndihmë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Kam qenë vërdallë atë ditë, nuk më kujtohet se ku”, është shprehur Bibollari, ndërkohë që grabitja në banesën e mjekut ishte e bujshme, pasi të dy personat kishin njohje mes tyre. Bibollari nuk ka hyrë me dhunë në banesën e Hasanit, por përmes çelësit, që mjekut i kishte rënë në makinë. Çelësi i banesës në duart e bizesmenit dhe një borxh i dhënë, ngre dyshime rreth ngjarjes. 

Borxhi 50 mijë euro, që mjeku i dha Olsi Bibollarit
Olsi Bibollari dhe shefi i QSUT, kanë pasur lidhje miqësore, ose diçka tjetër i lidhte mes tyre. Para një jave doktori i ka dhënë 50 mijë euro borxh autorit të vjedhjes, procedurë që e kanë mbyllur me dokumentacion në noteri. Pasi kanë mbaruar punë me procedurat, në momentin që janë kthyer sërish bashkë me automjetin e Olsi Bibollarit, doktori ka harruar në automjet çelësin e apartamentit.
Sipas raportimeve 38-vjeçari nuk ka humbur kohë dhe sapo është ndarë me doktorin dhe është siguruar që nuk iu drejtua banesës, ka shkuar ne apartamentin e tij te Komuna e Parisit, ka hapur derën me çelës, dhe ka marrë 15 mijë euro. Si duket borxhi i dhënë nga Hasani, nuk i ka mjaftuar Bibollarit. Denoncimin e ka bërë vetë doktori, kur ka vënë re mungesën e parave. Pasi kanë hapur kamerat është arritur të identifikohet se personi që i ka hyrë në shtëpi, është miku të cilët i kishte dhënë 50 mijë euro borxh.
Olsi Bibollari rezulton të jetë pronar i ‘Restorant Ogi’, dhe aksioner tek një bar Kafe, “Vok”, ndërsa tashmë do të hetohet për veprën penale të vjedhjes. Në banesën e tij pas kontrollit të Policisë, u sekuestruan shuma parash të dyshuara nga ato që u vodhën në banesën e kardiologut. Po ashtu u sekuestrua një automjet si dhe veshjet që autori ka përdorur gjatë momentit kur ka hyrë për të vjedhur në shtëpinë e doktorit, ngjarje e ndodhur më 25 gusht./ZËRI 
Burimi