
Inceneratori i Tiranës, shtyhet seanca për Alqi Bllakon

Alqi Bllako
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë seancën gjyqësore për ish-deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako. Seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më datë 11 Mars në orën 13:30.
Bllako akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste. Pas hetimeve të kryerja lidhur me çështjen, SPAK ka dalë në përfundimin se Bllako ka kryer veprime të kundraligjshme në kohën kur ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Në seancën e sotme, SPAK ka paraqitur 37 fashikuj vetëm për Bllakon, ku pretendon se ka përfituar 120 mijë euro përmes kompanisë së babait të tij, por edhe 7 milion e 520 mijë lekë nga Vladimir Bezhani, nga shoqëria koncesionare për ndërtimin e inceneratorit.
Ish-deputeti i ka propozuar Bezhanit që të ofronte konsulencë juridike për çështjen e inceneratorit të Tiranës, para se të bëhej propozimi i pakërkuar në lidhje me këtë çështje. Duke qenë se vendimi për gjykimin u mor, GJKKO kërkoi nga palët për të dalë në konkluzionet përfundimtare, por SPAK ka kërkuar më shumë kohë për pretencën.Ndaj edhe seanca e radhës është lënë për në datën 29 janar.
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Në dhjetor 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako. Pjesa tjetër e personave që u akuzuan janë anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit.
Sipas SPAK, grupi kriminal, pjesë e të cilit janë shqiptarë dhe të huaj, ka pastruar 20 milionë euro pasuri nga momenti i lidhjes së kontratës dhe në vazhdimësi. Më tej bëhet me dije se janë caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe për 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Druijts. Në krye të grupit kriminal, qëndrojnë shtetasit Klodian Zotaj dhe Mirel Mërtiri, ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është në qeli prej gati 2 vitesh, pasi është dënuar me 2 vite e 8 për inceneratorin e Fierit, por po ashtu po gjykohet edhe inceneratorin e Tiranës, ndërsa për inceneratorin e Elbasanit, Bllako gjithashtu është lënë në burg për të njëjtën periudhë kohe./ZËRI