“Ikën Rrumbullaku/ Ç’po ‘zien’ tek MB? Priten shkarkime dhe kryepolic i ri (RAPORTIMET)
Udhëzimi i ri
Edhe pse nuk ka vakancë, në media kanë nisur të qarkullojnë lajme për shkarkimin e Rrumbullakut. “MCN” raporton se drejtuesit aktual Muhamet Rrumbullaku i është kërkuar dorëheqja.
“Deri në emërimin e drejtorit të ri, përkohësisht postin do ta marrë Hamdi Fjora me funksion Drejtor i Drejtorisë së Forcës Lëvizëse Operacionale, në Departamentin e Sigurisë Publike, në Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit,”-bëhet me dije nga MCA.
Largimin e Rrumbullakut e paralajmëron edhe “Top Channel”. Media duke cituar burime brenda Ministrisë së Brendshme dhe nga qeveria, pretendon se nesër paradite, ministri Hoxha do të lajmërojë shkarkimin e Rrumbullakut.
“Priten ndryshime të shumta në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke përfshirë të gjithë zinxhirin drejtues dhe drejtuesit e drejtorive vendore. Gjithashtu priten ndryshime edhe në drejtimin e drejtorive në varësi të Ministrisë së Brendshme,”-bëhet me dije nga media.
Raportimet duke u bazuar në burime flasin për largimin e Rrumbullakut, por në bazë të ligjit, kryepolici nuk largohet dot me urdhër të ministrit të Brendshëm, por vetëm nga kryeministri (në këtë rast Edi Rama), ose në rast se jep dorëheqjen nga posti. Po ashtu, edhe emërimi i pasuesit të tij nuk është kompetencë e ministrit, pasi sërish “ok” duhet ta japë kreu i qeverisë, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë.
Deri më tani, në media flitet për shkarkimin (ose kërkim dorëheqje) të Rrumbullakut, por sa do të ndodhë kjo, pritet që ta zbulojmë nesër.
Mbledhja nis në orën 10:00 dhe raportohet se Ervin Hoxha ka thirrur në takim të gjithë drejtorët e policisë së qarqeve, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit si edhe drejtorët e departamenteve.
UDHËZIM-Nr. 160, datë 2.9.2024
PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATIT PËR DREJTOR TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të pikës 2 të nenit 56 të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”,
1. Ky udhëzim ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat që lejojnë Ministrin e Brendshëm të kryejë një proces objektiv, transparent, dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen, renditjen dhe propozimin e kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
2. Procesi i vlerësimit dhe përzgjedhjes bazohet dhe respekton parimin e mundësive të barabarta, meritokracisë dhe mosdiskriminimit.
Neni 2
Procesi i përgjithshëm i përzgjedhjes
1. Propozimi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit bëhet pas kryerjes së një procesi të hapur, i cili organizohet nga Ministria e Brendshme.
2. Ministria e Brendshme shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit qëndron e hapur për 7 ditë.
3. Ministria e Brendshme përcakton në thirrje adresën e postës elektronike, si dhe adresën postare në të cilën aplikantët dorëzojnë shprehjet e interesit.
4. Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.
5. Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm (në vijim Komisioni) kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore, të përcaktuara në nenin 4 të këtij udhëzimi. Nëse është e nevojshme, Komisioni kërkon informacione të mëtejshme prej kandidatit, institucioneve publike, apo punëdhënësit të kandidatit.
6. Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.
7. Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të posaçme dhe të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.
8. Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore. Anëtarët e Komisionit i drejtojnë pyetje kandidatit në përputhje me kriteret e vlerësimit sipas këtij udhëzimi.
9. Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore, në përputhje me këtë udhëzim dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim, sipas shtojcës “C” tëkëtij udhëzimi, për secilin kandidat.
Neni 3
Komisioni i Posaçëm
1. Procesi i verifikimit të përmbushjes së kritereve dhe i vlerësimit të kandidatëve bëhet nga Komisioni i Posaçëm, me përbërjen si vijon: a) Një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm, kryetar;b) Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, anëtar;c) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, anëtar.
2. Vendimet për kualifikimin ose skualifikimin e aplikantëve merren me shumicën e votave, ndërsa vendimet për vlerësimin e kandidatëve merren individualisht nga çdo anëtar i Komisionit, sipas rregullave të përcaktuara në këtë udhëzim.
KUSHTET DHE KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJNË KANDIDATËT, MËNYRA E VLERËSIMIT
Neni 4
Kushtet ligjore për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm
1. Kandidati për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit paraqet dokumente që provojnë se plotëson kushtet e parashikuara në nenin 56, të ligjit për Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”. Kandidati dorëzon dokumente mbështetëse për secilin prej kushteve ligjore si më poshtë:a) mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;b) të ketë shtetësi shqiptare;c) të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;ç) tëmos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 (pesë) vjetëve të fundit;d) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
2. Kandidatët duhet të dorëzojnë vetëdeklarimin sipas ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Neni 5
Vlerësimi i kandidatëve
1. Kandidatët që përmbushin kushtet e parashikuara në nenin 4, vlerësohen dhe renditen sipas kritereve në vijim: a) aftësitë profesionale të kandidatit në fushën e rendit ose sigurisë, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 6 të këtij udhëzimi; b) integriteti moral i kandidatit, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 7 të këtij udhëzimi; c) aftësitë organizative dhe drejtuese, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 8 të këtij udhëzimi;ç) elementet plotësuese për vlerësim sipas parashikimeve të detajuara në nenin 9 të këtij udhëzimi.
2. Në rastet kur kandidatët kanë të njëjtën meritë, vlerësohet vjetërsia në ushtrimin e profesionit dhe përvoja profesionale.Neni 6Vlerësimi i aftësive profesionaleVlerësimi i aftësive profesionale të çdo kandidati bazohet në kriteret e mëposhtme:a) kohëzgjatja dhe përshtatshmëria e përvojës në punë me pozicionin për të cilin konkurron;b) rezultatet e vlerësimeve profesionale ose etike të kandidatëve në pozicionet e mëparshme, nëse ka, ose rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit ose sigurisë;c) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në kurse trajnimi të certifikuara në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë;ç) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;d) punime akademike, studime shkencore, shkrime dhe ligjërata profesionale, botime, pjesëmarrje në aktivitete shkencore (përveç atyre që kanë shërbyer për fitimin e gradës shkencore), pjesëmarrje në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional i kandidatit gjatë 5 viteve të fundit në fushën e rendit ose sigurisë.
Neni 7
Vlerësimi i integritetit moral
1. Vlerësimi i çdo kandidati në lidhje me integritetin moral bazohet në kriteret e mëposhtme:a) reputacioni që kandidati gëzon në shoqëri dhe te kolegët, si rezultat i aktivitetit të tij profesional bazuar në cilësitë morale si ndershmëria, përpikëria në kryerjen e detyrave, drejtësia në marrjen e vendimeve dhe llogaridhënia;b) reputacioni që kandidati gëzon në shoqëri dhe te kolegët, si rezultat i aktiviteteve të kryera gjatë kohës që nuk ushtron funksionin e tij bazuar në cilësitë morale si besueshmëria, paanshmëria, dinjiteti, veprimtaritë sociale ose kulturore.
2. Vlerësimi për integritetin moral bëhet përmes dokumenteve të dorëzuara nga kandidatët, dokumenteve të mbledhura nga Komisioni, të dhënave nga seancat dëgjimore, raportimeve në media,të dhënave publike ose burimeve të tjera të besueshme.
Neni 8
Vlerësimi i aftësive organizative dhe drejtuese
1. Vlerësimi i çdo kandidati për aftësitë organizative dhe drejtuese bazohet në kriteret e mëposhtme:a) cilësia e platformës dhe vizionit që ata paraqesin sipas shtojcës A të këtij udhëzimi;b) aftësitë e provuara në marrjen e vendimeve dhe përgjegjësive, bazuar në përvojat e mëparshme profesionale dhe shoqërore;c) aftësitë në komunikim;ç) aftësia për të punuar në grup dhe në mjedise multidisiplinare dhe/ose multikulturore;d) aftësia për përfaqësim në publik.
2. Komisioni vlerëson përmbushjen e kritereve të mësipërme bazuar në dokumentet e dorëzuara nga kandidati, të mbledhura nga Komisioni dhe të dhëna të mbledhura gjatë seancës dëgjimore mekandidatin.3. Kandidati ka barrën për të sjellë prova që tregojnë aftësitë organizative dhe drejtuese të renditura në pikën 1 të këtij neni.
Neni 9
Elemente shtesë për vlerësim
1. Krahas kritereve të përcaktuara në nenin 6, 7, dhe 8 të këtij udhëzimi, kandidatët mund të vlerësohen edhe për kriteret e mëposhtme:a) mbajtja e titujve akademikë;b) studimet dhe trajnimet afatgjata të kryera jashtë vendit, jo më pak se dy javë në fushën e rendit ose sigurisë ose aftësive menaxheriale;c) zotërimi i gjuhëve të huaja, duke i dhënë përparësi gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës.
2. Komisioni vlerëson zotërimin e gjuhëve të huaja përmes dokumenteve zyrtare të njohura të dorëzuara dhe/ose përmes intervistës me kandidatin.
PROCEDURA E APLIKIMIT
Neni 10
Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit
1. Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe në mediat e shkruara dhe audiovizive.
2. Thirrja qëndron e hapur për 7 ditë. Ky afat mund të zgjatet me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
Neni 11
Shprehja e interesit
1. Kandidatët paraqesin një kërkesë me shkrim drejtuar Ministrit të Brendshëm për të shprehur interesin dhe për të dëshmuar kualifikimet e tyre për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
2. Kandidati duhet të paraqesë një aplikim të plotë, në mënyrë që të merret në konsideratë. Vlerësimi bëhet mbi bazën e dokumenteve të dorëzuara.
3. Kërkesa me shkrim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:a) një jetëshkrim i përditësuar;b) një platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Ky dokument duhet të jetë punë origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 20 faqe, në llojin e shkrimit Times Neë Roman, madhësia 12, me një njësi hapësirë mes rreshtave;c) një vetëdeklarim sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;ç) dëshmi të gjendjes gjyqësore lëshuar nga organi kompetent shtetëror, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;d) vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;dh) rezultatet e vlerësimit profesional dhe etik të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimine funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;e) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në trajnime dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;ë) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;f) kopje të noterizuara të dëshmive të gjuhëve të huaja sipas pikës 1, shkronja “c”, të nenit 9 të këtij udhëzimi, nëse ka;g) kopje të noterizuara të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;gj) kopje të vërtetimit të besueshmërisë, të marrë ngakomisariati përkatës, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;h) dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;i) një vetëdeklarim që kandidati nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;j) një vetëdeklarim që kandidati nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinor dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit;k) autorizimet për Ministrinë e Brendshme/Komisionin sipas shtojës B të këtij udhëzimi.
4. Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet t’i dorëzohen Komisionit deri në datën e përfundimit të afatit, në adresën postare dhe elektronike të shënuar në thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit.
Neni 12
Publikimi i listës së aplikantëve
Pas kalimit të afatit për të paraqitur shprehje interesi, Komisioni shqyrton aplikimet dhe publikon emrat e aplikantëve në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Publikimi duhet të bëhet jo më vonë se 2 ditë pune pas mbylljes së thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit.
Neni 13
Informacion shtesë përveç shprehjes së interesit
1. Komisioni, kur e sheh të nevojshme, kërkon informacione të mëtejshme nga kandidatët, organet publike ose punëdhënësi i kandidatit.2. Kërkesa duhet të përshkruajë qartë informacionin që nevojitet dhe të përcaktojë afatin dhe vendin e paraqitjes së tij.
Neni 14
Verifikimi i kushteve ligjore
1. Komisioni shqyrton dokumentet e dorëzuara nga kandidatët dhe nga institucionet brenda 10 ditëve pune nga dita e mbylljes së thirrjes për dorëzimin e dokumenteve, me qëllim verifikimin kushteve ligjore të parashikuara në nenin 4 të këtij udhëzimi.
2. Komisioni përcakton nëse do të kërkohet informacion shtesë nga kandidati, institucioni shtetëror ose punëdhënësi i kandidatit. Komisioni kërkon informacion shtesë në përputhje me procesin e parashikuar në nenin 13 të këtij udhëzimi.
3. Nëse Komisioni nuk merr informacion të mjaftueshëm për të përmbushur detyrën e tij për verifikimin e kritereve ligjore, mund të vendosë një afat shtesë për të marrë informacionin e duhur.
4. Komisioni harton një listë të kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore dhe një listë të atyre qënuk plotësojnë kushtet ligjore së bashku me një raport mbi rezultatet e verifikimit të kritereve ligjore bazuar në dokumentacionin e dorëzuar dhe atë të mbledhur.
5. Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve dhe njofton me shkrim dhe në mënyrë të arsyetuar çdo person të përjashtuar. Njoftimet nënshkruhen nga kryetari dhe i dërgohen secilit kandidat të përjashtuar, me postë rekomande, ditën vijuese të punës.
Neni 15
Verifikimi i integritetit të kandidatit
1. Aplikanti dorëzon bashkë me aplikimin pranë Ministrisë së Brendshme, kopjen fizike të formularit për vetëdeklarim sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
2. Për aplikantët që plotësojnë kriteret ligjore, Ministri i Brendshëm i përcjell menjëherë formularin e vetëdeklarimit sipas ligjit nr. 138/2015, të plotësuar nga kandidati, në Prokurorinë e Përgjithshme. Vetëdeklarimi i kandidatit sipas ligjit nr. 138/2015 bëhet publik në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme.
3. Komisioni mund të kryejë edhe veprimet për kërkimin e informacionit, sipas kompetencës përkatëse, nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi Informativ i Shtetit, shërbimet e tjera të inteligjencës dhe prokuroria. Kandidati plotëson dhe nënshkruan autorizimin sipas shtojcës B të këtij udhëzimi, ku autorizon Komisionin të kryejë verifikimet përkatëse.
4. Në varësi të rezultateve të kontrollit dhe nevojave të verifikimit të mëtejshëm të integritetit të kandidatit, Komisioni mund të kërkojë:a) informacione shtesë nga institucionet e përmendura në këtë nen;b) shpjegime me shkrim nga kandidati, i cili jo më vonë se 3 ditë nga marrja dijeni, duhet të paraqesë drejtpërdrejt pranë Komisionit, shpjegimet e tij dhe dokumentet mbështetës ose shprehjen e vullnetit për tërheqjen nga kandidimi.
5. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe gjetjet e përfundimet e nxjerra nga të dhënat e dërguara nga institucionet e tjera të përmenduranë këtë nen, Komisioni vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, vijon me procedurën e vlerësimit të kandidatit.
6. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe të atyre të dërguara nga institucionet e tjera të përmendura në këtë nen, Komisioni vlerëson se ka të dhëna që mund të sjellin përjashtimin e kandidatit, Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatit dhe e njofton me shkrim dhe në mënyrë të arsyetuar. Njoftimet nënshkruhen nga kryetari dhe i dërgohen secilit kandidat të përjashtuar, ditën vijuese të punës.
7. Përjashtimi vendoset edhe kur kandidati ka refuzuar të përmbushë detyrimin për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit sipas kërkesave të ligjit nr. 138/2015./ZËRI
Burimi