“Ibiza Gang”/ Shqiptarët bënin ‘namin’ me një spraj gjumi, viktima e fundit ishte Nick Grimshaw

“Ibiza Gang”/ Shqiptarët bënin ‘namin’ me një spraj gjumi, viktima e fundit ishte Nick Grimshaw

SPANJË- Që nga viti 2019, kur edhe mendohet se janë krijuar, deri më sot, një grup shqiptar ishin kthyer në “tmerrin” e pushueshëve të pasur të Ibizës. Me ‘ndihmën’ e një spaji që të vendos në gjumë, grupi kishte kryer më shumë se 22 grabitje (vetëm kaq janë të dokumentuara) në një nga zonat më të frekuentuara të planetit. Viktimat e tyre të fundit ishin Nick Grimshaw (një folës radiofonik britanik) dhe nëna e tij 81-vjeçare. Hajdutët iu futën në vilë teksa nënë e bir po flinin, e morën çfarë mundën. 

Grupi i përbërë nga dy shqiptarë dhe një rumune, mendohet se ka vjedhur sende me vlerë që e kalojnë shifrën e 500 mijë eurove. Por deri më tani mediat spanjolle nuk i kanë bërë me dije emrat e tyre.
Aktualisht, dy shqiptarët janë në burg, ndërsa gruaja është liruar me kusht deri në përfundimin e hetimeve. Edhe pse të arrestuat, mbi ta ende nuk rëndon asnjë akuzë, por janë nën hetim për një zinxhir grabitjesh në Ibiza.
Ata futeshin në vila gjithmonë kur pushuesit ishin duke fjetur, e për të qenë më të sigurtë hidhnin spraj në mënyrë që të vazhdonin “aksionin” e tyre të pashqetësuar. Sipas Policisë spanjolle, dy shqiptarët visheshin gjithmonë me të zeza dhe e maskonin fytyrën e tyre, e në rastet e rralla kur kapeshin ‘mat’…thjesht largoheshin me shpejtësi nga vila ku ishin futur.  
“Shumë nga viktimat i thanë Policisë se ndiheshin të trullosur kur zgjoheshin, ndjenin siklet, i merreshin mend dhe kishin të vjella.”
Gjatë kontrolleve në zonë, Policia gjeti në një banesë disa sende që ishin raportuar të zhdukura, duke përfshirë ora të shtrenjta, syze dielli, çanta dizajner, celularë dhe para. Nga vlerësimi paraprak, shuma totale e sendeve të vjedhura është vlerësuar në rreth 548.500 euro./ZËRI
Burimi