“I mistershëm, i padepërtueshëm”, gazetari rrëfen takimin me Kadarenë: Jetonte në zonën gri, mes jetës dhe vdekjes
Ismail Kadare dhe Ermal Mulosmani
TIRANË- Gazetari Ermal Mulosmani, ka përshkruar takimin e fundit me shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili sipas tij është një prej 3 njerëzve më me ndikim në të gjithë historinë e kombit tonë.
Në një postim në rrjetet sociale, Mulosmani shkruan se së fundi Kadare, jetonte në një zonë gri, atë mes jetes dhe vdekjes, ndërsa nuk e kishte humbur deri ditën e fundit misterin që e shoqëronte në portretin e tij.
Teksa përshkruan takimin me një prej njerëzve që admiron më së shumti, Mulosmani shkruan se Kadare së fundi ishte si një Hamlet i mjegulluar, që shfaqte pak interes për gjërat e kësaj botre.
Postimi i Mulosmanit:
Ismail Kadare është, për mua, shqiptari i tretë më i madh në historinë e kombit pas Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Kurrë nuk më ka lënë indiferent një libër i tij, një ese apo intervistë. Kam pasë një admirim të pafshehur për stilin e tij unikal, pasurinë gjuhësore, ironinë tipike dhe sidomos për aurën kadareane të ftohtësisë, një mister që e dallonte shkrimtarin nga çdo tjetër.
Isha me fat që e takova në të gjallë. Kohëve të fundit Ai jetonte në një zonë gri, mes jetës dhe vdekjes, dukej sikur po mendohej se çfarë do gjente në kapërcim të kësaj bote. Ai mu duk më tepër si një personazh kadarean a më mirë shekspirian sesa si vetë shkrimtari. Si një Hamlet i mjegulluar, për të cilin gjërat e kësaj bote nuk kishin interes.
Ndoshta ishin qesharake.
Unë i evitoj takimet me njerëzit që admiroj pikërisht nga droja e deluzionit, dua t’i mbaj në imagjinatë më shumë sesa në kujtime. Por takimi me Ismailin, në ditët e fundit të tij në këtë jetë, më la pikërisht shijen që imagjinoja: i mistershëm, i padepërtueshëm, kadarean. Rrallë ndodh që imagjinata të përkojë me realitetin.
Vendin e vërtetë të Kadaresë në Panteonin e letërsisë do ta vendosë koha. Por, unë besoj, se në nivelin shqiptar, Kadareja do të jetë figura më e madhe që e kalon lëmin e letërsisë.
/ZËRI
Burimi