‘Hidh pallatin në erë’/ ‘Çopja-t’ e donin të vdekur Alibejn, dronë me tritol edhe në banesën ku fshihej
Hajdar Çopja, Erion Alibej, Nuredin Dumani dhe Talo Çela
ELBASAN- Plani për të hedhur në erë Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit nuk ishte i vetmi që kishte planifikuar grupi “Çopja” për të eliminuar fizikisht Erion Alibej. Në përgjimet e zbardhura nga aplikacioni “SkyECC”, zbulohet një tjetër episod, por kësaj herë disa kohë më para se Alibej të arrestohej nga Policia e Shtetit më 18 shtator.
“Euronews Albania” mëson se nga komunikimet në SKY ECC grupi kriminal ‘Çopja’ e konkretisht Franc Çopja ofronte 5 milion euro për ekzekutimin e “Krymit”, nofkë me të cilën njihej Erion Alibej. Pasi e kishin lokalizuar se ku fshihej, grupi planifikonte të shpërthente sasi të mëdha tritoli që do të montoheshin në 3 dronë.
Dronët më pas do të ngriheshin në nivelin e katit të fundit ku banonte Erion Alibej e më pas do të shpërtheheshin. Për këtë plan është rrëfyer edhe Nuredin Dumani. Në një rrëfim tijin që është publikuar në media në 14 Qershor 2022, Dumani tregoi se për të vrarë Alibejn, Kel Kamami ka kërkuar që të hidhej në erë i gjithë pallati ku ai fshihej në Elbasan.
“…Kel Kamami, ka dashur të organizojë një atentat që ta bënte me hedhjen në erë të gjithë pallatin, ku jetonte, Erjoni. Për këtë atentat të kësaj natyre, flitej për një shumë që shkonte në 2 milion euro. Keli ma ka çuar dhe SMS, pseudonimin e Erjon Alibej, që sipas tij ishte “Krymi”. Këtë fakt unë iu thashë Arjanit…” – deklaron Nuredin Dumani.
Por edhe kësaj herë, për arsye që nuk dihen, plani nuk u finalizua. Po ashtu, në një tjetër rast mësohet nga bisedat në “SKY ECC” se grupi ka kontaktuar një snajperist në Kosovë për ekzekutimin e Erion Alibej. Në ndihmë të këtij personi (i cili ende nuk është identifikuar) mesa duket ishte edhe Talo Çela. Ky i fundit qarkullonte nëpër Elbasan, edhe pse Policia e Shtetit e kërkonte në çdo cep për ta arrestuar, me një automjet ‘Mercedes Benz’ me fenelina policie si dhe maskohej me maska silikoni, në kërkim të kundërshtarëve të grupit Çopja ku ai ishte rreshtuar si vrasës me pagesë.
Edhe ky plan nuk është finalizuar!/ZËRI
Burimi