Hezbollah kërcënon Qipron: Mos hapni bazat për Izraelin, do të luftojmë pa rregulla

Hezbollah kërcënon Qipron: Mos hapni bazat për Izraelin, do të luftojmë pa rregulla

Hassan Nasrallah

LIBAN- Ishulli i Qipros ka marrë një kërcënim të drejtpërdrejt nga udhëheqësi i grupit militant libanez Hezbollah.  Shkak i një luftë të gjerë mund të bëhet nëse Qipro hapë bazat e saj për forcat izraelite. Reagimi i udhëheqësit të Hezbollah, Hassan Nasrallah, vjen disa ditë pasi Tel-Avivi bëri të ditur planin për eliminimin e grupit të fuqishëm militant të mbështetur nga Irani.
“Nëse lufta do t’i imponohej Libanit, rezistenca e Hezbollahut do të luftojë pa rregulla, pa kufizime. Qiproja do të jetë gjithashtu pjesë e kësaj lufte nëse hap aeroportet dhe bazat e saj për forcat izraelite. Hezbollahu do ta trajtojë atë si pjesë e luftës”, tha Hassan Nasrallah, udhëheqës i Hezbollahut.
Presidenti qipriot Nikos Kristodulidhis tha nga ana e tij se Nikosia “në asnjë mënyrë nuk është e përfshirë” në asnjë operacion ushtarak në rajon. Qiproja është “pjesë e zgjidhjes, jo e problemit,” tha Kristodulidhis, duke kujtuar korridorin detar Qipro-Gaza që përdoret për të ofruar ndihma në enklavën palestineze.
Qipro është anëtare e Bashkimit Evropian që shtrihet në detin Mesdhe, afërsisht 200 kilometra nga Libani. Qipro ka mbajtur stërvitje të përbashkëta ushtarake me Izraelin që nga viti 2014 dhe deri vitin e kaluar.
Tensionet midis Hezbollahut dhe Izraelit janë rritur që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit dhe fushata ushtarake që pasoi nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit në Gaza. Javët e fundit, intensiteti i sulmeve ndërkufitare mes të dyve është rritur, duke ngritur shqetësime mbi perspektivën e një lufte të plotë. Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha se një luftë që përfshin Libanin do të kishte implikime rajonale dhe se grupi i armatosur shiit libanez do të sulmonte çdo vend tjetër në rajon që ndihmonte Izraelin./ZËRI
Burimi