‘Hetimori’ në Shëndetësi/ Debate dhe ‘përplasje’, audituesja e KLSH: Në 2022, u paguan 20 172 shërbime të pakryera!

‘Hetimori’ në Shëndetësi/ Debate dhe ‘përplasje’, audituesja e KLSH: Në 2022, u paguan 20 172 shërbime të pakryera!

Mbledhja e Komisonit

TIRANË- Është zhvilluar me debate dhe tensione mbledhja e kësaj të hëne e Komisonit Hetimor për koncensionet e “Sterilizimit” dhe “Check-up”. Fillimisht ka qenë nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca ai që ka debatuar me audituesen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Brunilda Zenelaj në lidhje me auditin e kryer. Sipas auditueses, ajo ka hetuar buxhetin dhe jo kontratën. Në debat është përfshirë dhe kryetarja e Komisonit, Albana Vokshi. Kjo e fundit iu drejtua Ndrecës duke i thënë se vetëm ai mund të mbrojë diçka që nuk mund të mbrohet.
Pjesë nga debati:
Plarent Ndreca: Kontrata ka fuqinë e ligjit, kështu që kjo tregon përse është paguar. Është konsideruar nga ju si dëm ekonomik rastet e paguara për shërbimet e pakryera? Likuidimi është bërë për një shërbim të pabërë, ligji për kontabilitetin e ka këtë. Sa kontrata koncesionare keni audituar?
Audituesja: Nuk kam hetuar kontratën, por buxhetin.
Albana Vokshi: Ajo sheh vetëm nëse është kryer analiza… po të jep përgjigje shumë korrekte
Plarent Ndreca: Si keni dalë në përfundimin që kontrata duhet rishikuar?
Audituesja: Nuk kam dalë në përfundime. Kontrata është dokument autorizues për të kaluar në veprim, ndërsa dokumenti financiar është justifikues, pra janë faturat.
Plarent Ndreca: Kontrata nuk është e mjaftueshme për ju për të detyruar institucionin për të bërë pagesat? Likuidimi është bërë në bazë të kontratës por nuk mund të bësh shpenzime për një shërbim të pakryer
Albana Vokshi-Plarent Ndrecës: Të mbrosh të pambrojtshmen vetëm ju mund ta bëni.
Plarent Ndreca: Thatë se është paguar TVSH, nuk duhet të ishte paguar.
Gjatë fjalës së saj audituesja e KLSH-së, u shpreh për vitin 2022, të evidentuara në raportin e KLSH në vitin 2023, janë 20172 raste të pakryera shërbimesh të Check-up, por që janë paguar paratë.
Brunilda Zenelaj: Për vitin 2022, të evidentuara në raportin e KLSH në vitin 2023, 20172 raste të pakryera shërbimesh të Check-up, që janë paguar paratë.
Ndërkohë, deputetja e Partisë Socialiste, Edona Bilali ka ndarë një histori të saj personale ku ka treguar betejen e saj me kancerin e gjirit. Ajo tha se falë këtij mekanizmi që ofronte koncensioni i “Check-up”, ajo u diagnostikua në kohë, pasi edhe mund të kishte vdekur.
Edona Bilali: Unë e marr vesh, diagnostikohem dhe shkoj bëj mamografinë, diagnostikohem në fazë të hershme. Menjëherë shkoj në spital dhe shtrohem. Ky shtrim sipas jush, i çon kosto buxhetit të shtetit, ndërkohë po të mos ishte kjo kontratë në fuqi unë do të diagnostikohesha shumë vonë dhe do të kisha kryer punë për këtë jetë dhe këtë botë dhe do i kisha kursyer lekë buxhetit të shtetit. Mos të ishte ky shërbim unë do të kisha vdekur fare.
Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./
Burimi