Heshtja frikacake e bizneseve mes përplasjeve të grupeve

Heshtja frikacake e bizneseve mes përplasjeve të grupeve

Sin dhe Savoy

TIRANË- Afrimi i sezonit veror josh rininë që të frekuentojë jetën e natës. Nga Veriu e kryesisht në Jug, të rinjtë e jo vetëm, ndjekin evente e koncerte nga më të ndryshme, në varësi të ‘xhepit’ e në varësi të dëshirës ndonjëherë.
Ajo e para dominon më shumë, sidomos kur bëhet fjalë për frektuentimin e zonave ekskluzive. Por, janë pikërisht këto zona që mbledhin dhe persona me precedent penalë, njerëz që jo pak herë kanë qenë në kërkim nga autoritetet por pa pasur stepjen më të vogël, kanë marrë guximin të shijojnë çdo festë.
Por, me një ndryshim…jo të vogël në fakt.
Këta persona lëvizin kudo me armë me vete dhe jo pak herë cënimi i ‘egos’ së tyre çon në përplasje fizike.
Ajo që bën përshtypje, është që në shumë raste ka munguar siguria në këto klube, ose edhe kur ka qenë prezente, është bërë pjesë e sherrit, duke mbajtur anë.
Por, cilët janë këto vende?
Ne sot po risjellim në vëmendje disa prej sherreve më të bujshme që kanë përfunduar edhe në  përdorimin e armëve të zjarrit, ngjarje këto që janë pasuar me një heshtje të madhe nga ana e biznesit.
Më i ‘freskëti’ është ai që ndodhi në klubin “Sin” në Palasë.
“Sin” ka moton “eat, drink, dance” që në shqip do të thotë “ha, pi, kërce”. Ky lokal që ofron ushqime, pije e muzikë me DJ nga më të njohurit ka hapur dyert në maj të këtij vitin ë një nga perlat e bregdetit shqiptar, Palasë.
Në këtë biznes janë mbajtur evente që kanë mbledhur edhe yjet e shoëbizzit, por ajo që ndodhi katër ditë më parë, tregoi se siguria është e vetmja gjë që nuk ofrohet në këtë vend.
Në një event me të ftuar yllin e muzikës greke, Kostandinos Argyros u lejua përplasja e dy grupeve që përfundoi me dy të plagosur.
Ku ishin truprojat?
Çfarë mendon një qytetar kur sheh raportimin e këtij sherri?
A ndihet i sigurtë që ta frekuentojë këtë vend?
Më shumë gjasa jo. Madje pasiguria përforcohet në momentin që biznese të tilla përpiqen ta kalojnë në heshtje e të vijojnë me postimet rutinë, sikur një natë më parë të mos ishte përgjakur vend.
Ku mbeti transparenca me klientin dhe më minimalja detyrimi moral për të dhënë një reagim qoftë edhe për tu distancuar?!
Por ky nuk është vendi i vetëm.
Pak muaj më parë një tjetër restorant luksoz që mbahet për klientelën “VIP”, “Savoy Garden” u bë kryefjalë e mediave për shkak të një përplasjeje me armë zjarri.
Edison Elezaj, djali i pronarit të kompanisë “Uji Lajthiza”, Hajri Elezaj shkrepi armën dhe plagosi tre persona, të tre anëtarë të një familjeve, dy vëllezërit dhe motrën e tyre.
Ngjarja po njësoj, kaloi në heshtje.
Asnjë reagim nuk pati nga ky biznes që mban përgjegjësi për personat që futen brenda tij dhe më minimalja është kontrolli rutinë për armë zjarri, që siç duket ka dhe përjashtime kur bëhet fjalë për njerëz që kanë të veshur xhaketën e biznesmenit.
Për përplasje fizike, me karrige, shishe, thika apo armë mund të përmendim akoma më shumë biznese që edhe nën mbështetjen e autoriteteve janë munduar të mos dalin në skenë e të shpresojnë që gjëma e ndodhur brenda dyerve të tyre,  shuhet sa më shpejt.
Por, si në çdo vend të botës, ndoshta edhe në Shqipëri ka ardhur momenti që shoqëria të ‘thjeshtojë’ të tilla vende ku ti nuk ndjen mjaftueshëm siguri të konsumosh një darkë me familjen apo të pish diçka me shoqërinë. Ndoshta vetëm atëherë, këto biznese dhe ‘simotrat’ e tyre do të bien dakort me faktin që për të mbajtur një klientelë ‘elitë’ nuk do të thotë t’i lejosh të ulen në tavolinë me armë zjarri në brez.
Ideja se dikush nuk është i sigurt nëse nuk mban një armë me vete është ndoshta miti më tinëzar i ndërtuar nga vetë ‘lobi’ i armëve. Jo vetëm që nuk është e vërtetë që armët janë mjetet më të sigurta të vetë-mbrojtjes, por i vendosin anëtarët e familjes në një rrezik më të lartë për lëndime fatale dhe vdekjeprurëse. Ajo që përmirëson sigurinë janë ligjet më të forta për armët, që ne nuk na mungojnë dhe normat e zgjidhjes së konflikteve në komunitet./ZËRI
Burimi