“Hesht”/ Musk dhe Rubio përplasen me zyrtarin polak për ‘Starlink’, Tusk: Tregoni respekt!

“Hesht”/ Musk dhe Rubio përplasen me zyrtarin polak për ‘Starlink’, Tusk: Tregoni respekt!

Radoslaw Sikorski dhe Elon Musk

VARSHAVË- Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk përmes një postimi në rrjetin social X iu ka bërë thirrje “miqve” që të respektojnë aletatë e tyre. Tusk nuk përmendi emra, por koha kur u publikua postimi i tij, nënkupton se ka të bëjë me manjatin Elon Musk.
“Udhëheqja e vërtetë do të thotë respekt për partnerët dhe aleatët. Edhe për ato më të voglat dhe më të dobëtit. Kurrë arrogancë. Të dashur miq tregoni respekt”, tha Tusk në postimin e tij.
Por, një ditë më parë ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski u përfshi në një debat të ashpër me Elon Musk, i cili postoi se “e gjithë vija e frontit të Ukrainës do të shembet nëse unë e çaktivizoj Starlink”. Pas deklaratës së Musk, reagoi Sikorski i cili tha se Polonia paguan 50 milionë dollarë në vit, që Ukraina të përdorë Starlink, i cili ofron lidhje të rëndësishme interneti për Kievin dhe ushtrinë e tij. Sikorsi sugjeroi që Polonia, mund të gjejë një ofrues tjetër nëse shërbimi i Musk vlerësohet i pabesueshëm.
Nuk vonoi shumë dhe Musk iu përgjigj, por me tone të ashpra dhe duke e ofenduar.
“Hesht, “burrë i vogël”. Ti paguan një pjesë të vogël të kostos. Dhe nuk ka asnjë zëvendësim për Starlink,” shkroi ai.
Në vazhdim, Marco Rubio, sekretari i shtetit i SHBA-së, akuzoi ministrin e jashtëm të Polonisë, se ai ishte mosmirënjohës, pasi “askush nuk ka kërcënuar se do të ndërpritet shërbimi i Starlink në Ukrainë”.
“Thuaj faleminderit sepse pa Starlink Ukraina do ta kishte humbur këtë luftë shumë kohë më parë dhe rusët do të ishin në kufi me Poloninë tani”.
Sikorski iu përgjigj: “Faleminderit, Marco, që konfirmuat se ushtarët e guximshëm të Ukrainës mund të mbështeten në shërbimin jetik të internetit të ofruar së bashku nga SHBA dhe Polonia.”
Qeveria amerikane ka hequr tashmë disa aksese në imazhet satelitore për Ukrainën dhe ka ndërprerë ndarjen e inteligjencës, duke bërë presion mbi Kievin, ndërsa Trump kërkon një fund të shpejtë të luftës.
Aksionet e operatorit satelitor franko-britanik Eutelsat u rritën me 650% javën e kaluar mes spekulimeve se kompania mund të zëvendësojë Starlink në ofrimin e aksesit në internet në Ukrainë.
Në një seri postimesh në X mbi këtë temë, Musk lajmëroi se nuk do të çaktivizojë Starlink në Ukrainë.
“Për të qenë i qartë, pavarësisht se nuk jam dakord me politikën e Ukrainës, Starlink nuk do t’i fikë kurrë terminalet e saj… Ne kurrë nuk do ta bënim një gjë të tillë ose ta përdorim atë si mjet pazaresh.”
Por, koha e postimit të Tusk, tregon se ky koment qëndron për Musk dhe Rubio./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente