Hapet sot tuneli i Llogarasë, Rama: Vepër historike! Balluku: Këtë vit do të jetë pa pagesë

Hapet sot tuneli i Llogarasë, Rama: Vepër historike! Balluku: Këtë vit do të jetë pa pagesë

tuneli i llogarase

VLORË- Tuneli i Llogarasë do të hapet këtë të premte për qarkullimin e mjeteve, ndërsa në orën 10:00 do të zhvillohet ceremonia e inagurimit. Ky tunel është më i gjati në vendin tonë, me 5.9 kilometra, ndërsa hapja e tij pritet që të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut.
“Është një nga veprat historike që do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut”, shkroi kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetin social “Facebook”.
Në një intervistë gjatë ditës së djeshme, Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, tha se këtë vit tuneli do të jetë pa pagesë, por vitet e ardhme do të jetë i aksesueshëm vetëm përmes pagesës, që do të kushtojë rreth 5 euro.
“Tuneli i Llogarasë do ketë një shpejtësi rreth 80 km në orë, ka edhe kthesa. Tunelet e kanë shumë të vogël limitin mbi shpejtësi. Në tunel është e patolerueshme sepse mund të krijojë aksidente, ndërsa nuk lejohen parakalimet. Tuneli i Llogorasë është një vepër me pagesë, pasi do të ketë një mirëmbajtje me kosto të larta. Përllogaritet diku të 5 euro, por bëhet fjalë për vitin e ardhshëm, jo për këtë vit”, tha ministrja.
Me tunelin, do të shkurtohet me disa minuta rruga drejt jugut. “Nëse dikur bëhej rreth dy orë e gjysmë nga Tirana, është shkurtuar më shumë se 45 minuta. Nëse i referohemi vetëm Llogorasë, që ka qenë e përshkueshme për 45 minuta, është shkurtuar më shumë se 30-35 minuta”, tha Balluku në “Top Story”.
Tuneli i Llogarasë lidh Urën e Shën Elizës me atë të Palasës me një gjatësi prej 5.9 km si dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura 110 dhe 40 metra.
Ky tunel përshkohet për rreth 10 minuta. Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërinë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe për Mesdheun./ZËRI 
Burimi