Hapet autostrada Thumanë-Kashar, të pranishëm Rama, Balluku dhe Kumbaro

Hapet autostrada Thumanë-Kashar, të pranishëm Rama, Balluku dhe Kumbaro

Foto ilustruese

TIRANË- Hapet për qarkullim aksi i ri rrugor Thumanë-Kashar. Ky është segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier. I pranishëm në ceremoninë e hapjes së aksit të ri ishte kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja, njëherazi dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja për Turizmin dhe Mjedisin, Mirela Kumbaro.
Ky aks ka një gjatësi 21 kilometra dhe në të makinat mund të lëvizin me një shpejtësi deri në 130 kilometra në orë. Por ata që do të përdorin këtë aks do të duhet që të paguajnë shumën e 2.1 eurove. Kjo pasi rruga e re është ndërtuar përmes një koncensioni me afat 35 vite, kështu kostot do të grumbullohen nga të ardhurat nga tarifat për kalimin në rrugë. Megjithatë, për ata që nuk duan që të paguajnë, ka edhe një rrugë dytësore.

Aksi Thumanë-Kashar ka pjesë të tij disa vepra arti, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime. Kostoja totale për ndërtimin e këtij aksi është 226 milionë euro, kurse në 35 vitet e kohëzgjatjes së kontratës, koncesionari pret të fitojë 1.3 miliardë euro. Nga viti 2024 deri në vitin 2031 kompania private fitimin e ka të garantuar, pasi është parashikuar që në rast se do të ketë një rënie të nivelit të të ardhurave, buxheti i shtetit do subvencionojë humbjen, ndaj edhe janë vendosur në dispozicion si garanci edhe 22.8 milionë euro. Aktualisht në Shqipëri me pagesë është vetëm rruga e Kombit, për të cilën paguhet 5 euro, ndërsa e njëjta praktikë pritet që të përdoret edhe për tunelin e Llogarasë dhe rrugën e Arbërit. Megjithatë as për këto akse nuk kanë përfunduar plotësisht punimet./ZËRI
Burimi