
Gratë dhe vajzat në marshim Nuk është krim pasioni, është Femicid

Pamje nga tubimi
TIRANË- Gra dhe vajza kanë marshuar sot në Tiranë më 8 Mars, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Po ashtu, në këtë tubim ka pasur edhe pjesëmarrje të burrave.
Marshimi ka nisur në zonën e ish-bllokut dhe ka përfunduar para Kryeministrisë. Në duar të grave shihen pankarta, në lidhje me krimet e kryera ndaj grave, ku i kanë cilësuar se krimet ndaj grave nuk janë “krime pasioni” por femicid.
“Nuk është krim pasioni, është Femicid”, “Mos ma prek lirinë”, “Kjo jetë është e jona, nuk e falim, nuk lejojmë të na ndalin” “gra të egra”, thuhen në pankarta.
Në qytetin e Elbasanit organizata që kanë në fokus dhunën ndaj gruas marshuan në qendër të qytetit. Gra dhe vajza me pankarta në duar përcollën mesazhin se sot kanë më shumë arsye për të protestuar sesa të festojnë.
Edhe në qytetin e Durrësit u organizua një marshim për të drejtat dhe fuqizimin e grave dhe vajzave, si një nga faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e familjes.
Gra dhe vajza e nisën marshimin e tyre nga Gjykata e Durrësit dhe vazhduan në bulevardin “Taulantia” të qytetit. Aktivistet theksuan rëndësinë e mundësive të barabarta dhe mbështetjes për gratë dhe vajzat. Vetëm në qytetin e Durrësit gjatë vitit 2024 janë lëshuar 471 urdhra mbrojtje, ndërsa 75 të tjerë për këtë vit. Ndërsa kanë nisur 330 procedime penale për dhunë në familje./ZËRI