Gjykata la në burg Darmend Kelin, avokati kërkon riklasifikimin e veprës penale: Ishte në tronditje të thellë
Darmend Keli
TIRANË- Gjykata e Tiranës la sot nën masën e arrestit me burg, 25-vjeçarin Darmend Keli, i cili pasditen e të shtunës vrau me thikë 34-vjeçarin Amarildo Hoxhallari, për shkak se i ngacmoi të fejnuarën. Avokati i autorit, Arben Gramo kërkoi ulje të dënimit, dhe riklasifikimin e veprës penale duke thënë: “Të klasifikohet vrasje në kushtet e tronditjes së thellë”.
34-vjeçari Amarildo Hoxhallari u përplas fillimisht me fjalë me 25-vjeçarin Darmend Keli, i cili në gjaknxehtësi e sipër e goditi 4 herë me një thikë në gjoks dhe në këmbë. 34-vjeçari u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës, por rreth 1 orë pas ngjarjes ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda.
Gjykata la në burg edhe shokun e viktimës, shtetasin Ardi Marishta, i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
25 vjeçari ka shfaqur pendesë në sallën e gjyqit. Ai ka pretenduar se nuk kishte njohje me viktimën. Keli ka rrëfyer se rreth orës 18:30 kishte parë nga ballkoni Amarildo Hoxhallarin duke i ngacmuar vajzën me të cilën bashkëjetonte prej 3 vitesh.
Pasi është përballur me të, ai pretendon se është fyer rëndë dhe qëlluar me grusht nga Hoxhallari, përpara se të përdorte thikën që kishte marrë nga banesa e tij për ta goditur sipas policisë dy herë në gjoks dhe 2 në këmbë./ZËRI
Burimi