Gjykata e Tiranës regjistron Berishën si kryetarin e PD-së
Sali Berisha
TIRANË-Pas marrjes së vulës, tashmë Sali Berisha njihet zyrtarisht si kryetar i Partisë Demokratike nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Gjykata e Tiranës ka regjistruar në regjistrin e Partive Politike, Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike, pas 3 vitesh seancash gjyqësore. Dokumenti i lëshuar nga sekretarja e regjistrit të partive politike, Besa Korbeci, thotë qartë se kryetar i PD-së është Sali Berisha.
“Vërtetojmë se në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton se me urdhër nr.12 datë 19.12.1990 të Ministrit të Drejtësisë është miratuar krijimi i partisë “Partia Demokratike”, me iniciale PD ose PDSH. Kryetar i Partisë është z.Sali Berisha. E lëshojmë këtë vërtetim në përgjigje të kërkesës së subjektit të interesuar”, thuhet në shkresën zyrtare të mëposhtme.
DOKUMENTI
Pas një përplasje 3-vjeçare në kampin opozitar, në Qershor të këtij viti, Gjykata e Apelit vendosi se kryetari legjitim i PD-së është ish-kryeministri Berisha. Ky i fundit u rikthye fuqishëm në politikë pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së në 2021-in.
Pas një sërë kuvendesh dhe referendumeve të organizuara nga mbështetësit e Berishës, në dhjetor të vitit 2021, u deklarua përmbysja e vendimeve të Bashës dhe zgjedhja e Berishës si lider i PD-së. Ky vendim u sfidua në gjykatë nga palët rivale, duke rezultuar në një betejë të gjatë ligjore për vulën dhe drejtimin zyrtar të partisë.
Vendimi i fundit nga Gjykata e Tiranës, i reflektuar në dokumentin e firmosur nga sekretarja e regjistrit të partive politike, vulos zyrtarisht drejtimin e PD-së nga Berisha./ZËRI
Burimi