‘Gërdeci’/ Mediu pas seancës në GJKKO: Ministri nuk mund të pyetet për kalibrat
Fatmir Mediu
TIRANË- Sot u zhvillua seanca e radhës ndaj ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili pasi doli nga ambientet e Gjykatës së Posaçme foli me tone të ashpra duke thënë se një ministër nuk mund të pyetet për kalibrat. Mediu tha se vendimet për kalibrat vijnë të firmosura nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, këshilltari i lartë ushtarak edhe i kryeministrit dhe presidentit.
“Ne jemi në fazën e diskutimit të aktit të ekspertizës dhe ky është akti i ekspertizës tekniko-ushtarake dhe siç e do rregulli procedurial ne kërkuam që të thërriten ekspertët për ta zhvilluar atë debat me ekspertët. Kërkesa e dytë ishte që të gjithë fashikujt që kanë të bëjnë me aktin e shqyrtimit në gjykatë të bëhen pjesë e fashikujt gjyqësorë sepse janë disa të vërteta. Megjithatë tej kësaj, dua dhe njëherë të them, që në një vend jo-diktatorial do ta kishte zili kur kërkohet për shpërdorim detyre sepse janë rritur apo nuk janë rritur kalibrat e municioneve. Është licensuar apo nuk është licensuar depo e municionit. Si është organizuar dhe kush e ka organizuar transportin e municioneve dhe kush e ka paguar dhe gjëra të tjera siç ishinb ato absurde në aktin e ekspertimit ekonomik. Dua ta bëj të qartë që urdhrat e ministrit, jo vetëm për përgatitjen e tyre, kanë marrë mendimin e të gjithë nivele ushtarake, por edhe në ekzekutimin e tyre nuk ka pasur asnjë lloj kontestimi. Unë nuk di se si një ministër sot apo edhe dje mund të jap një mendim se çfarë janë kalibrat sepse nuk është specialist ushtarak. Kushtetuta dhe ligji thotë se ministri civil është një njeri politik. Kur mendimi vjen i firmosur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, këshilltari i lartë ushtarak, i ministrit, i kryeministrit dhe presidentit, nuk mund të ketë autoritet për ta pyetur. Nuk do ishte korrekte dhe nuk do kishte mundësi ta bëjë. Nuk mund të vërë në mëdyshje akte që janë programi si demontimi apo praktika të mbrojtjes si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO”, tha Mediu.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë. /ZËRI
Burimi