Gent Sejko nis “kasetat”, intervista e Governatorit për mikrokreditë nuk u bë me gazetar
Gent Sejko
TIRANË-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një prononcim premtoi sot se do të ndërmarrë ndryshime ligjore me qëllim përmirësimin e kredive të vogla. Teksa mijëra qytetarë janë të mashtruar tashmë me skandalin e zyrave të dhënies dhe marrjes së borxheve, Sejko u mjaftua me njoftimin e një rregulloreje të re, por edhe këtë zgjodhi ta bëjë përballë një punonjëse të BSH. Prononcimi i ditës së sotme nuk ishte para medias apo një gazetari, por Sejko zgjodhi punonjësen e tij, duke iu shmagur përsëri përgjegjësive publike.
“Guvernatori i Shqipërisë bëri sot një “intervistë” nga YouTube i Bankës së Shqipërisë. Përballë kishte një punonjëse të Bankës së Shqipërisë që bënte pyetje dhe jo një gazetar. Në pikën kritike kur mijëra qytetarë të varfër shqiptarë janë mashtruar nga kompanitë kreditore dhe kur Banka e Shqipërisë ka shumë aspekte për të sqaruar Gent Sejko zgjedh të shmangë përballjen me median. Mediat nuk duhet të transmetojnë propagandën e Sejkos dhe duhet ta kritikojnë atë për shmangien e përgjegjësive publike dhe ballafaqimit me gazetarët,’-shkruan në postimin e tij në rrjetin social Facebook, gazetari Isa Myzyraj.
Guvernatori njoftoi se Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po punojnë për një rregullore të re për institucionet mirkofinanciare. Sipas Sejkos, do të ketë një kontroll më të rreptë për moshën e huamarrësve si dhe mbi mundësinë financiare që ata kanë për shlyerjen e kësteve. Gjatë fjalës së tij, pa gazetarë, Sejko nuk dha shpjegime se pse këto masa nuk ishin rishikuar më herët, ndërkohë që mijëra qytetarë ishin detyruar që të humbisnin pronat e tyre, për shkak të paaftësisë për shlyerjen e kësteve të kredive të vogla./ZËRI
Burimi