Fredi Beleri kërkon pafajësinë, por nuk merret parasysh! Apeli i GJKKO merr vendimin: 2 vite burg!
Fredi Beleri
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Përfundimisht, Beleri do të duhet të vuajë 2 vite heqje lirie, edhe pse aktualisht është zgjedhur edhe si eurodeputet në Parlamentin Europian nën logon e partisë “Neodemokracia”, e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Në seancën e sotme, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, kërkoi pafajësi dhe lirimin e tij nga burgu, por kërkesa e tij nuk u mor parasysh.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohej për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit./ZËRI
Burimi