
Fondet për ndërtimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti, debate në Këshillin Bashkiak të Durrësit
Mbledhja
DURRËS- Këshilli Bashkiak i Durrësit diskutoi gjatë mbledhjes së sotme shpronësimet për rikonstruksionin e rrugës në Ishëm. Këshilltari i opozitës, Jonuz Myshketa kërkoi të dëmshpërblehen banorët e prekur. Ai u shpreh se fondi prej 400 mijë lekësh nuk është i mjaftueshëm. Po ashtu, edhe këshilltari demokrat, Ardian Muka mbështeti propozimin e Myshketës.
Ndërsa, nënkryetari i Bashkisë Elio Jani tha se vlera e ofruar është caktuar vetëm për tokën bujqësore dhe jo për objektet. Jani shtoi se bashkia po zbaton ligjin në këtë drejtim duke iu referuar vlerave të tregut.
Po ashtu, opozita debatoi në lidhje me rialokimin e fondeve të pashpenzuara për rindërtim. Demokrati Muka tha se ka dyshime në lidhje me menaxhimin e 8 milionë eurove që rialokohen çdo vit për rikonstruksione të objekteve të dëmtuara nga tërmeti.
Mazhoranca u shpreh se shumica e fondeve të rindërtimit që alokohen shkojnë për objektet private të dëmtuara, gjithashtu edhe për kolaudime dhe mbikëqyrje të punimeve. Jani nënvizoi se procesi i rindërtimit nuk ka përfunduar ende. Bashkia bën me dije se fondet janë gjatë periudhës 2023-2024 për investimet e kryera, por janë ende të palikuiduara për firmat ndërtuese. Pavarësisht kundërshtimeve nga opozita, rialokimi i fondeve të rindërtimit që do të trashëgohen në vitin 2025 u miratua me shumicë votash./ZËRI
Burimi