“Fëmijët i kam pasur fiksim”, rrëfehet i burgosuri: Më hoqën të drejtën për të pasur familje

“Fëmijët i kam pasur fiksim”, rrëfehet i burgosuri: Më hoqën të drejtën për të pasur familje

Gentjan Hoxhaj

TIRANË-Gentian Hoxhaj është dënuar me 21 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë, por pretendon se është i pafajshëm dhe është dënuar pa prova. Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, ai thotë se provat që tregonin se ai nuk ishte prezent në ngjarje nuk u morën parasysh nga drejtësia. 
“Jam në burg që prej 2008 dhe jam dënuar për 21 vite për vrasje e mbetur në tentativë në bashkëpunim. Në 2001 ka qenë vëllai që kreu ngjarjen pas disa ngatërresave dhe tani ndodhet në burg përjetë edhe për disa vepra të tjera. Kishte prova që unë nuk mora pjesë por nuk u morën parasysh dhe më arrestuan në Spanjë dhe kur më sollën më futën në burg pasi dënimi ishte dhënë në mungesë. Unë jetoj me shpresë dhe herët a vonë e vërteta do dali”, tha ai.
Ngjarja ka ndodhur në 2001 pas një sherri mes të rinjve, ku autor i plagosjes ishte vëllai i tij, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Gentjani pretendon se nuk ka qenë prezent.
I pyetur nëse ka lënë pas dikë, i burgosuri u shpreh se nuk i është dhënë mundësia për të pasur familje apo fëmijë.
“Fëmijët e vegjël i kam patur fiksim gjithmonë, por nuk ma dhanë këtë mundësi. Më hoqën të drejtën e jetesës, të drejtën për të pasur familje. Më hoqën çdo lloj të drejte pa arsye. Për arsye personale, për interesa personale,”- u shpreh ai.
Prej 16 vitesh në burg, ai ka zhvilluar pasionin e punimeve artistike, ku sipas tij është ajo e mban të angazhuar për të mos menduar për situatën ku ndodhet.
Burimi