Fëmijë që vrasin prindërit, për para dhe prona‼️

Fëmijë që vrasin prindërit, për para dhe prona‼️

AUTORëT, VIKTIMAT DHE FLORIDA MINGLA

TIRANË-Familja Balla është e dyta që tronditet në harkun kohor të vetëm pak muajve nga krimet që vijnë si pasojë e konflikteve që kryesisht kanë të bëjnë me paratë. Thyerja e një kasaforte që brenda kishte 75 milionë lekë ka sjellë përplasje mes Enver Ballës e Esmerald Ballës. Paratë ishin planifikuar për ndërtimin e një banesë, por konstatimi i mungesës së tyre ka sjellë sherrin mes babë e bir.
Kështu, më 13 gusht, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, 30-vjeçari e qëlloi babanë me pistoletë. Trupin, me ndihmën e një shoku, Edison Brahaj, i cili gjithashtu është vënë në pranga, ia hodhi në një pus. Armën e la në një kanal.
Më pas, Esmerald Balla e denoncoi zhdukjen e të atit në polici, ku deklaroi se babai i tij ishte larguar me një grua të panjohur. Nga ana tjetër hapi profile të ndryshme në rrjetet sociale, përmes të cilave i shkroi vëllait që kishte në Itali që të atin të mos e kërkonte pasi kishte ikur me pushime.
Të gjitha këto të dhëna, të dyshimta për një 62-vjeçar i bindën autoritetet se kishin të bënin me një krim në familje dhe gjatë marrjeve në pyetje të njëpasnjëshme, Esmeraldi pranoi se e kishte vrarë ai të atin. Ai rrëfeu dinamikën, vendin ku i kishte hedhur trupin si dhe bashkëpunëtorin.
Por, tha se ngjarja ishte aksidentale pasi i ati i kishte drejtuar armën i pari. Esmeraldi u shpreh i penduar duke shtuar se nuk kishte logjikuar me mendje të ftohtë kur kishte parë mungesën e parave, për të cilat ai tha se i ati i kishte shpenzuar me gra me të cilat kishte lidhje jashtëmartesore. Megjithatë hetimet vijojnë pasi dhe në celularin e Esmerald Ballës janë gjetur faqe eskortash.
Vrasja e Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit ende nuk e ka një autor dhe as një motiv. Një pistë e fortë është ajo e konflikteve pasurore për tokën, ku personazh kyç është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni, i cili duket se ajo që donte më së shumti ishin paratë e të atit. Më datë 13 shkurt Hysen Meta denoncoi zhdukjen e papritur të të atit, por më vonë u zbulua se e gjitha ishte një skemë e 3 fëmijëve për të eliminuar të atin.  Policia thotë se ai u vra nga Hysen Meta që bashkëpunoi me motrën Hygertën për ta kryer krimin. Më pas për të zhdukur trupin ka ndihmuar edhe vëllai tjetër, Amarildo. Të tre tashmë janë pas hekurave të qelisë në 
arrest me burg. Ndërkohë mamaja e tyre, Blerina po hetohet në gjendje të lirë. Por është e paqartë se kush e ka tërhequr këmbëzën. Fillimisht vrasjen e mori përsipër Hygerta, por Policia arrestoi edhe të vëllanë e saj Hysenin. Për të mësuar më shumë, Prokuroria i çoi në një poligon qitjeje, ku vetëm Hygerta e përdori armën dhe qëlloi 4 herë, ndërsa të tjerët, përfshirë edhe Blerinën, pretenduan se nuk dinin. Mirëpo nga ekspertiza që iu bë armës së krimit, rezultoi se në të kishte gjurmë gishtash dhe të djalit të vogël të familjes, Amarildos, i cili deri tani ka pretenduar se nuk ka qenë në banesë në momentin e vrasjes së babait.
Fëmijët e groposën trupin e pajetë në kasollen e bagëtive, ndërsa më pas thurën dhe skenarin për zhdukjen e tij, duke ia çuar makinën në një zonë tjetër të Durrësit. Më kontradiktore kanë qenë dëshmitë. Hygerta pretendonte se babai donte ta fejonte pa dëshirën e saj, por pala pretendente për tu bërë krushqi e hodhi poshtë këtë version, teksa përpara autoriteteve deklaruan se Pëllumbi kishte refuzuar të martonte të bijën.
Hysen Meta ka deklaruar gjithashtu se babai i tyre ishte shndërruar në një person të padurueshëm e të dhunshëm, por edhe ky version është hedhur poshte nga deklaratat e familjarëve të tjerë.

Kështu që pista e radhës mbeti pasuria!
Në muret e kasolles ku u varros kryefamiljari i familjes, Pëllumb Meta gjendet dhe një shkrim: “Eni miljoneri, 1000.000 dollarë”. Mesazhi i shkruar me spraj në mur mendohet se i referohet djalit të madh të familjes Meta, Hysenit, i cili shkurt thërritet Eni. Pavarësisht muajve të kaluar, motivi i vrasjes së Pëllumb Metës nga fëmijët e tij mbetet i panjohur.
Këto nuk janë rastet e vetme që kanë tronditur familjen në Shqipëri.
Në qershor 2018 një tjetër akt fatal ndaj prindërve u raportua në Peshkopi. Djali 26-vjeçar Qemal Sela vrau me automatik, nënën dhe babain e tij, Zeqimete Sela, 50 vjeçe dhe Flamur Sela, 55 vjeç. Motivi që shtyu djalin të bënte veprimin ekstrem ishte pronësia.
Në vitin 2016, vrasja e Artur Kurtit, nga i biri Jurgen Kurti ishte një nga ngjarjet e cila përveç aktit të rëndë, tronditi opinionin publik dhe për faktin se Jurgeni asokohe vetëm 23 vjeç ishte shumë i njohur në qarqet e VIP-ave shqiptarë.
Vrasja erdhi pas një sherri në apartamentin ku banonte nëna e tij, e cila ishte në proces divorci nga bashkëshorti që mbeti i vdekur. Sipas Policisë, atë mbrëmje viktima Artur Kurti (babai) ka hyrë me thikë në dorë në banesë dhe është përleshur me djalin dhe kunatin, ku ka plagosur kunatin. Më pas, në rrethana të cilësuara si të paqarta, në përleshje e sipër, shtetasi Artur Kurti gjeti vdekjen si pasojë e plagëve me thikë. Kurti u la i lirë pasi daja i tij mori përsipër krimin, por në 2019 Jurgen Kurti do të ekzekutohej te dera e shtëpisë.
Historia në familjen e djalit që shfaqej në rrjetet sociale i veshur me market më të njohura dhe i shoqëruar gjithmonë nga personazhë publike, u kthye në një serial. Të gjithë ishin të etur për të ditur se çfarë ndodhi mbrëmjen e 4 prillit 2016, në shtëpinë e këtij djali që reflektonte jetën elitare. Megjithatë jeta për Jurgen Kurtin nuk vijoi shumë. Ai u ekzekutua tre vite më vonë. Dhe tashmë, si për ironi të fatit do të ishte vrasja e tij ajo që do të mbetej pa autor./ZËRI
Burimi