“Fëlliqësirë”, Meta e akuzoi për marrëveshjen e detit me Ramën, Basha: Njeriu me bllok në dorë vijon me mashtrime ordinere
Lulzim Basha dhe Ilir Meta
TIRANË- Edhe pse të zhveshur nga shumë prej funksioneve dhe peshës elektorale që dikur kanë pasur, Ilir Meta dhe Lulzim Basha kanë vijuar përplasjet e ashpra në distancë mes tyre. I pari që drejtoi gishtin e akuzës gjatë ditës së djeshme ishte kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ku gjatë mbledhjes së Kryesisë akuzoi Bashën për marrëveshjen e detit me Ramën, kundër interesave të kombit shqiptar.
“Por, ne nuk jemi në garë për të qenë euro-atlantikë! Detyrimet me euro-antlatikë, I ka mbaruar Ilir Meta, që kur ka future NATO-n në programin e PS., që kishte Marksizmin, që kur ishte 24-vjeç, apo jo? Dhe që kur ka firmosur këtu me Colin Poëell kartën e Adriatikut, I ka mbaruar ato punë!
Tani ka sovranitetin, ka patriotizmin! Dhe kushdo, që dëshiron të provojë fuqinë e patriotëve, misionarëve, kur të dojë tani, jo nesër, jo pastaj. Që kështu, ti Ramaviç, ti fëlliqësira e kombit shqiptar. Ti që bërë dopio lojë, bashkë me atë fëlliqësirën tjetër, me detin.
Ti që çdo ditë, i ngul thika Kosovës! Ta dish mirë, se ato laraskat e ish-LSI-së, nuk të shpëtojnë dot ty. Dhe, shumë shpejt do të përgjigjesh, ti dhe gjithë enturazhi yt, për të gjithë shërbimet armiqësore, që bëni ndaj këtij kombi, ndaj këtij vendi.
Në Shqipëri, është një garë e madhe për t’u shitur si një parti euro-atlantike, nuk kemi asnjë problem. Ne jemi parti patriotike, kjo është baza, ky është themeli ynë”, u shpreh Meta, ndërsa nuk do të mungonte as kreu i euroatlantikëve, Lulzim Basha, i cili edhe pse dikur aleat me kreun e PL-së, tashmë ka zgjedhur që të flasë me akuza direkte.
Sipas Bashës, Meta e ka përdorur gjithmonë pushtetin e demokratëve për interesat e tij personale dhe për të fuqizuar Edi Ramën, ndërsa shton se sot po kërkojë që të bëjë pazarin e radhës duke hedhur akuza qesharake në mënyrë që të përfitojë nga vota e tyre.
“Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Njeriu me bllok në dorë që ka përdorur pushtetin e demokratëve për interesat e tij personale dhe për të fuqizuar Edi Ramën, vijon me mashtrime ordinere për të mbuluar pazaret e tij të pista.
Sot po kërkon sërish me akuza qesharake që të bejë pazarin e rradhës në kurriz të demokratëve e të përfitojë nga votat e tyre. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën dhe Partinë Demokratike ndaj distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për t’u ndarë nga korrupsioni dhe për fitoren e saj”, shkruan ish-kreu demokrat, Lulzim Basha./ZËRI
Burimi