‘Është çështje sociale’, Balluku për mbylljen e ‘Kurum’: Nuk është hera e parë që qeveria përballet me këtë kompani

‘Është çështje sociale’, Balluku për mbylljen e ‘Kurum’: Nuk është hera e parë që qeveria përballet me këtë kompani

belinda balluku

TIRANË- Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, foli në lidhje me zhvillimet e fundit pranë kompanisë Kurum, e cila ka mbyllur fabrikën në Elbasan, dhe ka hedhur në rrugë 500 punonjës, me pretendimin e vështirësive financiare.
Balluku tha se qeveria është duke i ndjekur me kujdes këto zhvillime, të cilat i quajti një çështje sociale, duke marrë parasysh numrin e lartë të punonjësve që janë hedhur në rrugë. Megjithatë zv.kryeministrja nuk u ndal në asnjë moment te bilancet e Kurum, dhe se sa qëndron pretendimi i tyre se gjatë aktivitetit në Shqipëri ata kanë dalë me humbje.
“Ka të bëjë me 500 familje, dhe është shumë e rëndësishme që të ketë një qëndrim për këtë. Ne po e ndjekim me shqetësim situatën, qeveria shqiptare nuk është hera e parë që përballet me Kurum. Ne do të vazhdojmë që të monitorojmë situatën, kjo është një çështje sociale, ku Kurum do të duhet që të japë llogari. Ne e kemi në fokus, dhe do të kemi një njoftim zyrtar. Nëse Kurum shpall pamundësinë financiare, atëherë kontratat do të rishikohen, Kurum ka deklaruar vështirësi në pagesën e faturave të energjisë elektrike, ndërkohë që është vetë prodhuese në 4 hidrocentrale”, u shpreh Balluku.

/ZËRI 
Burimi