Ervin Hoxha ‘përcjell’ Muhamet Rrumbullakun: Dikur eprori im, sot miku im, dorëzon stafetën (Ish-drejtori shfaqet i prekur)
Muhamet Rrumbullaku dhe Ervin Hoxha
TIRANË- Muhamet Rrumbullaku ngjiti sot për herë të fundit shkallët e Ministrisë së Brendshme, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, edhe pse mbrëmjen e djeshme u servis lajmi se ai kishte dhënë dorëheqjen. Lëvizje e cila ka qenë e detyruar për shkak të ndryshimeve në ligjin e ri për Policinë e Shtetit, që pritet të prekin disa drejtori të rëndësishme. Lajmi u bë me dije nga ministri Ervin Hoxha, i cili nuk e fshehu vlerësimin për eprorin e tij të dikurshëm, ndërsa dukshëm Rrumbullaku u shfaq i prekur nga largimi.
“Dua të përgëzoj punën e Policisë së Shtetit, me në krye dikur eprorin tim, sot mikun tim, Muhamet Rrumbullakun. Sot është dita për ta kaluar këtë stafetë në një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët do ta nisin punën jo nga gremina e vitit 2013, por nga lartësia e një pune të bërë përgjatë një decade. Kam bindjen që ata që do të dorëzojnë stafetën nuk do a kursejnë dijen dhe përvojën e fituar në këto vite për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030”, u shpreh Hoxha mes të tjerave gjatë fjalës së tij.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, që vetë u emërua në këtë detyrë një muaj më parë, ftoi të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji, të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Sipas ministrit, përzgjedhja e drejtorëve të rinj do të bëhet në bazë të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë./ZËRI
Burimi