Erdhi për pushime në Shqipëri, 38-vjeçarja italiane humb jetën, nëna: COVID-i ‘i infektoi’ zemrën
Alessia Vidotto
TIRANË-Një 38-vjeçare italiane humbi jetën në Shqipëri, ku ndodhej me pushime së bashku me bashkëshortin Eroldi dhe djalin 1 vjeç e gjysmë. Alessia Vidotto me origjinë nga Sedico, provincë e Belunos humbi jetën më 15 gusht 2024. Ajo ka shfaqur probleme me shëndetin teksa ndodhej me pushime në Pogradec, por nuk është shqetësuar shumë sepse e dinte që ishte me COVID.
38-vjeçarja më pas ka vijuar pushimet në Vlorë me familjen e saj. Në Vlorë ka bërë kontroll se është ndjerë më keq. Spitali i Vlorës e ka nisur me urgjencë në Infektivi e QSUT, por infeksioni i ka prekur mushkërinë dhe zemrën, ku si pasojë mjekët nuk kanë mundur që të bëjnë asnjë gjë për ta mbajtur në jetë. Nëna e saj ka rrëfyer për mediat italiane se Alessia ishte infektuar me Covid-19, dhe u shtrua menjëherë në spital, por virusi i preku zemrën dhe nuk arriti të mbijetonte.
“Vajza ime ka qenë gjithmonë e qetë këto ditë. Ajo ndoshta nuk e kuptoi se çfarë do të ndodhte. Sipas mjekëve, virusi do të kishte prekur mushkëritë dhe më pas do të kishte infektuar zemrën. Mjekët janë kujdesur absolutisht në mënyrën më të mirë të mundshme. “Është thjesht Covid” duhet të ketë thënë ajo me vete kur ne nuk mund t’i afroheshim asaj.”-ka rrëfyer nëna.
Alessia Vidotto vdiq brenda pak ditësh nga miokarditi fulminant, një inflamacion i rëndë i miokardit, i cili në fazën më akute mund të çojë në kolaps. Në disa raste, kjo patologji, e shkaktuar zakonisht nga infeksionet, sëmundjet sistemike ose ekspozimi ndaj barnave dhe toksinave, kërkon transplant zemre./ZËRI
Burimi