Ekstradohet nga Spanja Ismail Zeneli, pjesë e grupit të kokainës Breçani-Mata, planet për vrasjen e vëllezërve Nela në Britani
Ismail Zeneli dhe dy vellezerit Nela
TIRANË- Është ekstraduar nga Spanja drejt vendit tonë, Ismail Zeneli, pjesë e grupit të trafikut të drogës që drejtohej nga Ervin Mata dhe Eralbi Breçani. Ismail Zeneli i cili njihet edhe me emrin Luan Sadria dhe në rrjetin social SKY përdorte nofkat “Dajo”, “Dajloki” dhe “Transporter”, u vu në pranga në Madrit të Spanjës mbrëmjen e 27 nëntorit të vitit të kaluar. Sipas SPAK përfshirja e Zenelit në trafikun e kokainës është faktuar në dy episode të ndodhura në janar dhe në shkurt të vitit 2021. Në rastin e parë autoritetet sekuestruan 446 kg kokainë në Holandë dhe në rastin e dytë 69 kilogram kokainë në Brazil.
Lëvizja e kokainës bëhej nga Amerika e Jugut nëpërmjet kontejnerëve frigoriferikë të cilët transportonin mish ose lëng limoni të koncentruar.
Vendimmarrje në këtë iniciativë kishte Ismail Zeneli, të cilin Eralb Breçani dhe të tjerët e respektonin për shkak të eksperiencës që kishte në trafikun e drogës.
Zeneli për shkak hasmërisë ka planifikuar të vrasë dhe dy vëllezërit Nela të cilët ndodheshin asokohe në Britaninë e Madhe. Për të arritur këtë ai ka kërkuar ndihmën e punonjësit të policisë Dedan Gjonit i cili gjurmonte familjarët duke u bërë kështu bashkautor në krim.
NJOFTIMI I POLICISË:
U krye ekstradimi nga Spanja, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar I. Z. alias L. S., 50 vjeç, i lindur në Kukës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
SPAK ka regjistruar procedim në vitin 2023 dhe në kuadër të këtij procedimi, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, si dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, kanë zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane. Gjithashtu, hetimet janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura ne Shqipëri. Dyshohet se shtetasi I. Z. alias L. S. është koordinuar me bashkëpunëtoret e tij dhe ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e shtetasve A. N. dhe E. N., me qëllim vrasjen. Më tej, dyshohet se ky shtetas është koordinuar me bashkëpunëtorët e tij, për trafikimin e lëndëve narkotike, nga vendet e Amerikës se Jugut, në portet kryesore europiane, veçanërisht në Valencia, Spanjë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me Interpol Madridin, u bë i mundur arrestimi i tij në Spanjë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë./ZËRI
Burimi