EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e sherrit të bujshëm në Palasë, si u përlesh Tur Koçeku me grupin e Fatmir B.!
Foto nga sherri
TIRANE- Luçiano Koçeku, 42 vjeç, i njohur edhe si “Tur Koçeku” është protagonisti i sherrit që u publikua paraditen e sotme në media. Burime për ZËRI bëjnë me dije se ngjarja e shënuar në ambientet e lokalit “Sin” në Palasë, ka nisur në ambientet e brendshme të lokalit atje ku Tur Koçeku ka qenë i shoqëruar me disa miq të tij.
Në lokal, gjithashtu ka qenë prezent edhe Fatmir B., (emër i njohur për redaksinë) i shpallur në kërkim nga Policia për ngjarjen e 12 shkurtit 2024, ku ai plagosi me thikë te lokal “De Capo” në Komunën e Parisit, shtetasin Mirel Ishka pas një sherri për motive banale.
Fatmir B., nuk rezulton aktualisht në komunikatën e Policisë së Shtetit, por burime për ZËRI bëjnë me dije se ka qenë Fatmir B., një nga personat kryesorë të përfshirë në këtë përleshje barbare, e cila aktualisht ka plagosur rëndë Tur Koçekun, një emër i njohur në botën e krimit, biznesit dhe politikës në Shqipëri.
Sherri që raportohet se ka nisur për shampanjën, mendohet se ka shërbyer si pretekst për konfliktin mes dy grupeve, ku Fatmir B., është pjesë e një tjetër grupi që vepron kryesisht në kryeqytet, me lidhje të shtrira fort në botën e biznesit, ku po në një nga restorantet e kontrolluara nga ky grup, disa muaj më parë ndodhi një konflikt me armë zjarri.
E pashpjegueshme ngelet situata ku Policia, sërish, si gjithmonë në këto raste, nuk raporton dinamikën e konfliktit, personat e përfshirë, apo situatën e plotë, ku në një zonë tejet të populluar, një sherr mes kontigjentit kriminal, rrezikon qytetarët që kanë zgjedhur të pushojnë e të harxhojnë para në jugun e vendit.
Si është gjendja e Luçiano Koçekut? Tur Koçeku është dhunuar barbarisht në këtë konflikt dhe gjendja e tij është e rënduar. 42-vjeçari nga Dibra, ortak me biznesmenin Ilir Shtufi, me të cilin janë të investuar në ndërtimin e kullave në kryeqytet ndodhet në spital, atje ku po merr ndihmën mjekësore. Për sherrin në Palasë, një nga zonat më të rëndësishme ekonomike dhe turistike të vendit, Policia ka shpallur në kërkim Xhoni Spahon 28-vjeç, banues në Tiranë si dhe Genti Baleci, 49-vjeç, banues në Durrës. Asnjë fjalë për Fatmir B.,!/ZËRI
Burimi