Ekonomia, peng i ndërtimit, mori 73.5% të investimeve të brendshme më 2023

Ekonomia, peng i ndërtimit, mori 73.5% të investimeve të brendshme më 2023

Foto ilustruese

Pjesa dërrmuese e investimeve në ekonomi vijon të kanalizohet në sektorin e ndërtimit, sidomos në banesa edhe pse popullsia e vendit është pakësuar ndjeshëm nga emigracioni i lartë. Të dhënat nga cens 2023 treguan se 33% e banesave në të gjithë vendin ishin bosh, por sektori i ndërtimit dhe sidomos banesave morën 73,5% të investimeve të brendshme gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, pesha e investimeve në sektorin e ndërtimit u zgjerua me 5.7 pikë ndërmjet 2018-2023.
INSTAT publikoi treguesin e formimit bruto të kapitalit fiks, i cili jep të dhëna për investimet e brendshme materiale dhe jo materiale në ekonominë e vendit. Ky tregues është pjesë e shpenzimeve të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe tregon se sa nga vlera e shtuar në ekonomi investohet, në vend që të konsumohet. Të dhënat historike tregojnë se fitimet që vijnë nga rritja e PBB-së në pjesën dërrmuese të tyre shkojnë në ndërtim. Psh në vitin 1996-n, që është pari që INSTAT e raporton këtë të dhënë, ndryshimi, për një vend që është mbushur kudo me beton, është fare i vogël. Në 1996-n, pesha e ndërtimit në investimet e brendshme ishte 79.7%, ndërsa në vitin 2023 është 73.5%.
Shqipëria doli nga tranzicioni me një popullsi të re në moshë, me plot burime natyrore. Nëse investimet do të kanalizoheshin tek njerëzit dhe tek rritja e vlerës së burimeve Shqipëria do të kishte arritur standardet e BE.
P.sh. Estonia, e cila ishte nën pushtimin rus deri në vitin 1991, këto 30 vite zhvilloi një sistem arsimor dhe investoi në burimet njerëzore, çka e bënë atë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë bazuar në teknologji dhe në novacion. Estonia ndërtoi një nga sistemet arsimore më të mira në rang global dhe është më e digjitalizuara në Europë.
Nisur nga lejet e dhëna për kulla të larta më herët këtë vit dhe projektet e qeverisë për investime kapitale, sektori i ndërtimit do të jetë sërish dominues në tërheqjen e investimeve të brendshme. Ekspertët pohojnë se në afatin e shkurtër, investimi në ndërtim mund të ndikojë në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.
Teksa kanalizoi në ndërtim rreth 70% të fitimeve në tre dekadat e fundit vendi ynë ka mbetur shteti me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe në Europë. Në Europë dhe në rajon, fitimet që gjeneron ekonomia shkojnë për inovacion dhe në teknologji, pasi këto sektorë gjenerojnë kthim të qëndrueshëm në afat të gjatë dhe me vlerë të lartë.
Varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit në Shqipëri ishte më e larta në Europë në vitin 2023, sipas të dhënave që janë përditësuar nga Eurostat. Shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar. Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%. Vendi i dytë pas Shqipërisë ishte Rumania, me 17.9%, e ndjekur nga Suedia, me 15.7%./Monitor
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente