‘E pashë kur po haja drekë me vajzën’, dëshmia e plotë e Goxharës: Sa herë përballeshim Kosta më thoshte ‘do të heq nga puna’

‘E pashë kur po haja drekë me vajzën’, dëshmia e plotë e Goxharës: Sa herë përballeshim Kosta më thoshte ‘do të heq nga puna’

Lorenc Kosta dhe Erjon Goxhara

TIRANË- Një ditë pas vetëdorëzimit të tij në drejtorinë e Policisë së Tiranës, efektivi Erjon Goxhara ka deklaruar para grupit hetimor se nuk ka pasur qëllim që ta vriste 45-vjeçarin Lorenc Kosta, me të cilin gruaja e tij dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore.
Goxhara ka thënë se ka qenë duke konsumuar drekë me vajzën e tij, në momentin që ka parë Kostën, dhe më pas e ka qëlluar.
“Nuk kam dashur ta vras Lorenc Kostën dhe e kam parë rastësisht në zonën e “Komunës së Parisit” pasi kam qenë me vajzën time në një lokal në atë zonë. Pasi kam larguar vajzën jam kthyer sërish te “Komuna e Parisit” dhe e kam qëlluar Kostën me armën e shërbimit të cilën e kisha me vete. Deklaroj se nuk e kam bërë me paramendim plagosjen e Kostës”, është shprehur Goxhara, i cili akuzohet për veprën penale ‘vrasje me paramendim’ e mbetur në tentativë.
Në vijim të dëshmisë, Goxharaj mësohet të ketë deklaruar se “Kosta më provokonte sa herë përballesha dhe më thonte “do të heq nga puna””.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Goxhara ka shfaqur shenja pendese, dhe ka deklaruar se kur ka kryer krimin ka qenë në kushte të rënduara psikologjike.
“Isha i tronditur”, mësohet të ketë thënë Goxhara në rajon pasi u vetëdorëzua.
Përpara se t’i zinte pritë 45-vjeçarit në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, efektivi i policisë ka pasur një takim me bashkëshorten e tij, në prani dhe të nipit.
Takimi evidentohet nga prokuroria se ka ndodhur mëngjesin e datës 19 Gusht, disa orë përpara plagosjes. Goxhara dhe bashkëshortja e tij, me të cilën kishin nisur prej disa javësh konfliktet, janë takuar në ambientet e një qendre tregtare, ku as aty nuk kanë munguar debatet. Mësohet se gruaja e ka pranuar faktin se e ka tradhtuar babanë e dy fëmijëve të saj me eprorin në punë, por ka pretenduar se ka ndodhur vetëm në një rast. Në dosjen e prokurorisë thuhet se në momentin kur ka përfunduar ky takim, bashkëshortja e Goxharas ka goditur veten me grushte, ndërsa nuk ka kërkuar falje, dhe as ka tentuar që të rregullojë marrëdhënien familjare, e cila ishte krisur.
Situata e vështirë mes çiftit është pranuar dhe nga djali i tyre i mitur, i cili është marrë në pyetje në prani të psikologëve, ku ka thënë se babai dhe nëna e tij që prej gjysmës së muajit Korrik kishin konflikte të vazhdueshme mes tyre. Polici i ka kërkuar të shoqes që të kërkonte ndjesë, por që kjo e fundit nuk ka pranuar.
Efektivi i policisë e qëlloi në mes të rrugës 45-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë në pjesët e këmbëve dhe ato intime. Goxhara qëlloi me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta, pasi ky i fundit dyshohet se kishte lidhje me bashkëshorten e efektivit të Policisë. Drejtori i ERE-s ndodhet në spital dhe ka kryer dy ndërhyrje kirurgjikale./ZËRI
Burimi