E Ngarkuara me Punë e SHBA-së, takon Dumanin: SPAK ka mbështetjen tonë!
Nancy VanHorn dhe Altin Dumani
TIRANË- E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, zhvilloi sot një takim me Drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, dhe Drejtuesin e Seksionit Kundër Korrupsionit, Klodjan Braho. Sipas një postimi të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, VanHorn shprehu admirimin e SHBA-ve për përpjekjet e SPAK dhe inkurajoi vazhdimin e punës së tyre me guxim dhe integritet.
Postimi i Ambasadës Amerikane
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Drejtuesin e SPAK-ut Altin Dumani dhe Drejtuesin e Seksionit Kundër Korrupsionit në SPAK, Klodjan Braho, të cilët janë të përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Znj. VanHorn shprehu admirimin e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e palodhura të SPAK-ut dhe i nxiti ata të vazhdojnë punën e tyre të guximshme dhe të udhëhequr nga integriteti. Ajo theksoi se SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë kanë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në misionin e tyre për popullin shqiptar, duke shtruar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, shkruan ambasada e SHBA-ve.”
Ambasada theksoi gjithashtu mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë në misionin e tyre për të çuar përpara interesat e popullit shqiptar. Kjo mbështetje, sipas ambasadës, është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Pak kohë më parë drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se në luftën kundër krimit të organizuar, është forcuar bashkëpunimi me FBI dhe agjencitë e tjera anti-mafie të SHBA, jo vetëm me prezencën e ekspertëve të tyre në SPAK e BKH, por dhe me shkëmbim informacionesh dhe operacione të përbashkëta./ ZËRI
Burimi