Dy vite në kërkim, kush është Andrew Bode, i arrestuar sot për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa
edmond papa dhe andrew bode
TIRANË- Ka marrë fund pas dy vitesh arratia për Andrew Boden, alias Edvin Bode, i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në vitin 2022 në Tiranë. Ai u vu në pranga teksa strehohej në banesën e Jualian Kalemit në Memaliaj, ndërkohë që për të njëjtën ngjarje është arrestuar më herët dhe Alban Velo.
Andrew Bode, 45 vjeç, me origjinë nga Berati, dyshohet të jetë ekzekutori i Edmond Papës në 16 dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë. Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje, pas atentatit me tritol ndodhur në të njëjtin vit në Tiranë, ku mbeti i vrarë Aleksandër Sadikaj, nip i fisit Kalemi në Memaliaj.
Dyshohet se Bode ka pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa u ndihmua nga Albano Velo për të eleminuar Papën.
Si u ekzekutua Edmond Papa
Papa u ekzekutua mbrëmjen e 16 dhjetorit në hyrje të një lokali në rrugën “Fadil Bodinaku” Tiranë. Ai sapo ishte ulur në lokal kur u qëllua me 9 plumba nga një person i maskuar. Edhe pse 49-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Biznesmeni me origjinë nga Rroskoveci, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë. Ai kishte ardhur në Tiranë më 16 Dhjetor tek vëllai i tij, që banonte pak metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje. Dëshmitarët okularë i treguan policisë se ai iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit në tavolinë.
Dyshohet se saga e hakmarrjes mes fisit Kalemi dhe grupit që drejtohej nga biznesmeni Papa, ka nisur për shkak të përplasjeve që kanë të bëjnë me trafikun e drogës. /ZËRI
Burimi