Durrësi, Elbasani dhe Kukësi me rënien më të madhe të gjedhit më 2023 (Çfarë ndikon?)

Durrësi, Elbasani dhe Kukësi me rënien më të madhe të gjedhit më 2023 (Çfarë ndikon?)

Foto ilustruese

TIRANË- Rënia e numrit të bagëtive (gjedhit) sipas qarqeve zbulon elemente që kanë të bëjnë me tkurrjen e popullsisë dhe ristrukturimin e ekonomisë nga bujqësia drejt sektorëve të tjerë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se rënia më e madhe gjedhit në vitin 2023 në krahasim me 2022 ishin në Qarkun e Durrësit me -30.8%, Elbasanit me -21%, Kukësit me 19% dhe Korçës me 17.2%. Në këto qarqe, tkurrja ishte më e madhe se mesatarja kombëtare 11.5%.
Mungesa e fuqisë punëtore në qytetet të mëdha ku janë të përqendruara bizneset e turizmit dhe industrisë po rrit gravitetin e largimeve nga sektorët e bujqësisë drejt të tjerëve. P.sh. në hotelet e Durrësit po rritet gjithnjë e më shumë kërkesa për punonjës, duke bërë që gratë të cilat më parë jetonin duke mbarështuar kafshë, tani të punojnë në hotele. Gjithashtu në Tiranë, kompanitë e ndërtimit po marrin gjithnjë e më shumë punonjës nga rrethinat e Tiranës që më parë merreshin me bujqësi dhe blegtori. Rritja e pagave në turizëm dhe ndërtim po tërheq gjithnjë e më shumë punonjës nga bujqësia, e cila ofron pagat më të ulëta se sektorët e tjerë të ekonomisë.

Në disa qarqe, rënia e numrit të gjedhit po kushtëzohet nga rënia e popullsisë në zonat rurale dhe nga plakja e saj. P.sh. në Kukës që është një qark kryesisht blegtoral fermat e vegla me 1-3 krerë lopë po mbyllen për shkak të plakjes dhe reduktimit të popullsisë në fshat.
Për të njëjtat arsye, numri i bagëtive po bie edhe në Korçë pohojnë ekspertët e sektorit. Krerët e gjedhit shënuan rritje vetëm në qarkun e Gjirokastrës dhe të Fierit me nga 1.3 dhe 2% secila. Në Fier pati rikuperim të lehtë në fermat e mëdha pas një rënie të fortë të gjedhit në vitin 2022.
Nga 2014 me 2023 rënia më e madhe numrit të krerëve të gjedhit ishte në Elbasan dhe Gjirokastër me 65 dhe 54% secila. Gjatë kësaj periudhe krerët e gjedhit janë përgjysmuar në të gjithë vendin. Kjo është shoqëruar me rënien e prodhimit të qumështit që ka krijuar një rritje të fortë të çmimeve të bulmetit vitet e fundit./Monitor
Burimi