Dorëheqje apo shkarkim- Prapaskenat që çuan në largimin e Muhamet Rrumbullakut, ministri mbledh sot në takim vartësit
Ervin Hoxha dhe Muhamet Rrumbullaku
TIRANË- Nga mbrëmja e djeshme Muhamet Rrumbullaku nuk do të jetë më drejtues i policisë së shtetit, ndërkohë që në media u tha se ai kishte dhënë dorëheqjen nga ky post. Dorëheqja e Rrumbullakut që u njoftua vetëm në mbrëmje vonë, u parapri nga disa lajme, për një rrokadë dhe një furtunë në radhët e policisë së shtetit, ndërsa u njoftua dhe një takim që ministri Ervin Hoxha do të kishte me vartësit paraditen e kësaj të premteje.
Por ndryshe nga sa u servis, se Rrumbullaku mund të ishte një prej kokave të prera nga Hoxha, në fakt ministri i brendshëm nuk ka tagër për shkarkimin e drejtorit të policisë, dhe ai vetëm mund t’ia propozojë këtë kryeministrin. Në mesin e kësaj gjullurdie informacionesh, që kishin për burim herë qeverinë dhe herë Ministrinë e Brendshme, Muhamet Rrumbullaku njoftoi dorëheqjen, dukshëm i detyruar, ndërsa nuk ka ende një letër publike nga ana e tij ku të shpjegojë motivet.
Ndërkohë që sot në orën 10:00 të paradites, ministri Hoxha do të mbledhë vartësit e tij, ku dhe priten të tjera ndryshimesh në nivel drejtorish. Në këtë takim ministri Hoxha do të njoftojë dhe hapjen e garës për drejtuesin e ri të policisë së shtetit, ndërsa do të bëhen publike dhe kushtet që ai do të duhet të plotësojë.
Muhamet Rrumbullaku qëndroi për dy vite në krye të Policisë së Shtetit, teksa zëvendësoi në atë pozicion Gledis Nanon. Rrumbullaku nuk iu shpëtoi akuzave, qoftë nga politika, qoftë nga opinion publik, dhe u bë protagonist në mbulimin jotransparent të disa ngjarjeve, më e fundit vrasja e Egli Progës në Pogradec./ZËRI
Burimi