Doli ‘live’ me bluzen me flamurin e Serbisë, kërcënohet me jetë gazetari Ervin Baku

Doli ‘live’ me bluzen me flamurin e Serbisë, kërcënohet me jetë gazetari Ervin Baku

Ervin Baku

TIRANË- Prej disa ditësh gazetari sportiv Ervin Baku është vënë në qendër të kritikave, pasi gjatë një lidhje live në një televizion në Shqipëri, u shfaq me bluzen me flamurin e Serbisë. Kjo nxiti një fushatë reagimesh kundër tij, që së fundi duket se kanë kulmuar dhe me kërcënime me jetë. Në një reagim të bërë së fundi, Baku është shprehur se ka bërë denoncim në polici, pasi ndaj tij ka pasur një fushatë kërcënimesh.
Ai ka njoftuar se ditën e sotme ka depozituar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, te Drejtori i krimit kibernetik, kallëzim penal për të gjitha kërcënimet e bëra në adresë të tij.
Pas shfaqjes në emision, Baku kërkoi falje për veprimin e tij, duke thënë se sportin e ndan nga politika.
“Unë jam njeri i sportit, është fanellë që e vesha pasi ishte dhuratë nga trajneri i volejbollit të femrave të Serbisë që zhvilloi kampionati balllkanik në Tiranë muajin e kaluar.
S’kisha as një paramendim dhe prapamendim, unë patriotizmin tim e kam vërtetuar shumë herë, e kam quar flamurin të Shqipërisë në Beograd dhe në Strumica të Maqedonisë. “Çështjen çame” në Parlamentin Evropian e kam ngritur unë për herë të parë në vitin 2006 në Strasburg”, ka deklaruar Baku.
Sipas Bakut, sporti është paqe e jo luftë, ndërsa kërkoi falje për çdo person që mund të ishte prekur nga veshja e tij.
“Sporti është paqe, nuk është luftë. Serbia duhet të kërkojë falje Kosovës për krimet cnjerëzore… Nuk e bëj për të dukur, ka qenë thjesht sport, ka qenë një fanellë sporti.
E ndaj sportin nga politika. Unë i kërkoj ndjesë cdonjërit dhe cdonjërës, nuk kam bërë asgjë me qëllim. Ka qenë në kuadrin e sportit. Për mua sporti bashkon dhe ndërton ura”, ka vijuar ai. /ZËRI
 
 
Burimi