Djali i Belerit dhe Vangjel Tavo në garë për Himarën? Ç’pritet të ndodhë, presidenti pritet të caktojë datën e zgjedhjeve të reja

Djali i Belerit dhe Vangjel Tavo në garë për Himarën? Ç’pritet të ndodhë, presidenti pritet të caktojë datën e zgjedhjeve të reja

Petro Beleri dhe Vangjel Tavo

TIRANË- Vendimi është marrë, nga sot Fredi Beleri nuk është më kryebashkiak i Himarës! Fjalën e fundit lidhur me çështjen e tij e dha Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke i lënë vetëm 45 ditë kohë presidentit Bajram Begaj për të caktuar datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale që do të mbahen në Bashkinë e jugut të vendit. Sipas Kodit Zgjedhor si periudha të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve është vetëm pranvera dhe vjeshta, respektivisht periudhat; 15 mars – 30 qershor dhe 15 shtator – 30 nëntor. Ndaj me shumë gjasë, zgjedhjet e reja në Himarë do të mbahen në vjeshtë. Kështu partitë politike do të kenë kohë të gjithë muajin gusht për t’u përgatitur për votimet si kryebashkiak. Paraprakisht, duket se më shumë punë ka Partia Demokratike që deri në daljen e një emri duhet të mbajë edhe njëherë procesin e Primareve. Deri më tani i vetmi emër që ka qarkulluar është ai i djalit të Belerit, Petro.
Ish-zëdhënësi i fushatës së Belerit, Skerdjan Dhuli, në një intervistë të zhvilluar pak ditë më parë, i pyetur nëse djali i Belerit mund të jetë kandidat, Dhuli tha se po diskutohet çdo emër.
“PD ka burime njerëzor për të pasur kandidat. Nuk përjashtohet askush, kemi 4 mijë kandidat se cilido prej demokratëve apo të votues të lokacionit opozitar është më i mirë se çdo kandidat i Ramës, s’ka vjedhur asnjë metër tokë. Çdo emër diskutohet, partitë kanë mënyrat e tyre si e masin terrenin politik. Partitë e mëdha nuk vuajnë për kandidatë. Ramën do e mundim sërish. Rama është shkaktari kryesor i grabitjes së pronave të tyre,”- tha Dhuli.
Por për opozitën, ka edhe një pikëpyetje tjetër! Nuk dihet nëse Partia Demokratike në këto zgjedhje do të futet e vetme me kandidatin e saj, apo nëse edhe kësaj here do të bashkojë forcat me Partinë e Lirisë. Ndryshe nga zgjedhjet e fundit lokale, për shkak se Partia Demokratike nuk e kishte të drejtën për të përdorur vulën dhe logon e PD-së, u “detyrua” që të bënte koalicion me Partinë e Lirisë. Tashmë gjërat kanë ndryshuar. “Rithemelimi” për momentin ka në dorë edhe vulën, edhe logon e Partisë Demokratike, ndaj ka mundësi që të futet në garë me kandidatin e saj, pa siglën “Bashkë fitojmë”.
Opozitës, në pjesë i futet edhe Lulzim Basha, me partinë e tij të mbetur nga ajo që ishte Partia Demokratike zyrtare. Me shumë gjasa edhe Basha do të prezantojë një kandidat për Bashkinë e Himarës, por deri më tani nuk është përfolur askush!
Ndërsa nga kampi i maxhorancës duket se gjërat janë më të thjeshta dhe të pakomplikuara. Duke marrë parasysh se “i komanduari” për Bashkinë e Himarës, Arqile Bollano ka tashmë një çështje të hapur në SPAK, emri i tij nuk pritet që të jetë një prej kandidatëve. Emri më i pritshëm është Vangjel Tavo, i cili aktualisht mban postin e Prefektit të Vlorës. Ndaj edhe nuk do të jetë surprizë nëse emri i tij përfundon në fletën e votimit nën siglën e socialistëve. Kjo për shkak edhe të historisë! Edhe më herët, në zona të “vështira”, Partia Socialiste ka vepruar po njësoj, fillimisht kandidatin e ka caktuar në postin e prefektit dhe më pas, e ka shkarkuar për ta vendosur si kandidat zyrtar. E njëjta linjë është ndjekur në Shkodër, ndaj ka mundësi që e njëjta skemë të përdoret edhe për Himarën./ZËRI
Burimi