DINAMIKA- Para se të plagoste Kostën, Goxhara takoi gruan, ajo i pranoi tradhtinë. Hetimet: I ra kokës me grushte
Lorenc Kosta dhe Erjon Goxhara
TIRANË- Ndërsa Erjon Goxhara mbetet në kërkim për akuzën e vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë, hetimet konfirmojnë variantin e thënë që në momentin pas ngjarjes, se plagosja e Lorenc Kostës ishte bërë për motive xhelozie. Përpara se t’i zinte pritë 45-vjeçarit në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, efektivi i policisë ka pasur një takim me bashkëshorten e tij, në prani dhe të nipit.
Takimi evidentohet nga prokuroria se ka ndodhur mëngjesin e datës 19 Gusht, disa orë përpara plagosjes. Goxhara dhe bashkëshortja e tij, me të cilën kishin nisur prej disa javësh konfliktet, janë takuar në ambientet e një qendre tregtare, ku as aty nuk kanë munguar debatet. Mësohet se gruaja e ka pranuar faktin se e ka tradhtuar babanë e dy fëmijëve të saj me eprorin në punë, por ka pretenduar se ka ndodhur vetëm në një rast. Në dosjen e prokurorisë thuhet se në momentin kur ka përfunduar ky takim, bashkëshortja e Goxharas ka goditur veten me grushte, ndërsa nuk ka kërkuar falje, dhe as ka tentuar që të rregullojë marrëdhënien familjare, e cila ishte krisur.
Situata e vështirë mes çiftit është pranuar dhe nga djali i tyre i mitur, i cili është marrë në pyetje në prani të psikologëve, ku ka thënë se babai dhe nëna e tij që prej gjysmës së muajit Korrik kishin konflokte të vazhdueshme mes tyre.
Polici i ka kërkuar të shoqes që të kërkonte ndjesë, por që kjo e fundit nuk ka pranuar. I ndodhur në kushte të vështira psikologjike, menjëherë pas takimit në qendrën tregtare, Goxhara ka planifikuar përballjen me Kostën, të cilit nuk i la asnjë mundësi reagimi, duke e gjuajtur menjëherë me pistoletë.
Sipas grupit hetimor, efektivi i policisë e ka mbajtur në vëzhgim 45-vjeçarin Kosta dhe deri në këtë fazë hetimi, ka dyshime se nuk ka patur qëllim ta vrasë. Pas plagosjes, Goxhara telefonoi djalin ku e preti te rrethrrotullimi i Shkozës. Policia e lokalizoi dhe arriti të ndalojë vetëm djalin e mitur por jo efektivin, i cili fillimisht dyshohet se është fshehur në zonën e Dajtit. Nga ana tjetër Lorenc Kosta vijon të jetë në spital në gjendje stabël, ndërsa iu është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale. /ZËRI
Burimi