“Diçka e rrallë për mua”! A do e blejë Elon Musk Tik Tok-un?

Elon Musk

SHBA-Miliarderi Elon Musk deklaroi se nuk është i interesuar të blejë TikTok-un, aplikacion të cilin Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta ndalojnë për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare që lidhen me pronësinë kineze të ByteDance. 
“Nuk kam bërë asnjë ofertë për të blerë TikTok-un. Nuk kam asnjë plan se çfarë do të bëja nëse do ta zotëroja TikTok-un. Unë nuk kam ndonjë dëshirë të madhe për ta blerë TikTok-un. Në përgjithësi nuk blej kompani, është diçka e rrallë për mua,”- tha Musk, një javë pasi ish-presidenti Donald Trump u shpreh se do ta mbështeste një blerje të mundshme nga Musk, nëse ai do të dëshironte ta bënte një gjë të tillë, raporton Reuters.
Ndërkohë, ish-presidenti Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të shtyrë ndalimin e TikTok-ut në SHBA, i cili ishte planifikuar të hynte në fuqi më 19 janar. ByteDance ishte vënë përpara një afati për të shitur asetet amerikane të aplikacionit ose për të përballuar një ndalim total në SHBA, për shkak të shqetësimeve se qeveria kineze mund ta detyronte kompaninë të ndante të dhënat e përdoruesve amerikanë. TikTok i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Apple dhe Google ende nuk e kanë rikthyer TikTok-un në ‘dyqanet’ e tyre të aplikacioneve në SHBA, pas hyrjes në fuqi të një ligji të ri. Për të anashkaluar kufizimet, TikTok njoftoi të premten se përdoruesit amerikanë të Android mund ta shkarkojnë aplikacionin përmes paketave të instalimit nga faqja zyrtare e kompanisë.
Trump ka thënë se është në bisedime me disa investitorë për një blerje të mundshme të TikTok-ut dhe pritet të marrë një vendim këtë muaj për fatin e aplikacionit, i cili ka rreth 170 milionë përdorues në SHBA./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente