
Dhunoi dhe përndoqi ish-partneren për dy vjet, nën arrest shqiptari, partnerja: Ishte xheloz!

Foto ilustruese
ITALI– Një 44-vjeçar shqiptar është vënë nën arrest nga policia italiane, pasi akuzohet se ka keqtrajtuar partneren e tij dhe e ka kërcënuar me jetë në mënyrë të përsëritur. Ngjarja ka ndodhur në Supino, pasi partnerja e shqiptarit vendosi që ta denonconte për sulme fizike dhe verbale, që sipas saj ishin zhvilluar nga korriku 2024 deri më shkurt 2025.
Në denoncimin e saj, sipas mediave italiane, ajo ka pretenduar se shqiptari ishte një person me natyrë xheloze, me sjellje ngacmuese dhe kërcënuese që i cënonin dhe i kufizonin lirinë e saj personale.
Madje pretendoi se nga ai ka pasur edhe sulme të ndryshme fizike. Sipas saj, më 16 shkurt, pasi kishte shkuar në banesë për të marrë sendet e saj personale, ai nuk e ka lënë që të futet brenda; madje e ka shtyrë dhe e ka rrëzuar. Më pas, e ka ndjekur në makinë dhe e ka goditur në fytyrë dhe në trup.
Tashmë, ndaj shqiptarit është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe i ndalohet totalisht komunikimi dhe aksesi në rrjete sociale./ZËRI