Destinacion ishte Gjermania! Kapen 6.23 ton drogë në Ekuador, droga vlen rreth 200 milionë dollarë
Droga në Ekuador
EKUADOR- Qentë në Ekuador kanë gjetur 6.23 ton kokainë të fshehur në një ngarkesë bananesh. Sipas BBC, brenda në konteiner u gjetën dhe më pas u sekuestruan 5630 pako të mbushura me një substancë të bardhë që më vonë rezultoi se ishte kokainë. Dërgesa ishte e destinuar për në Gjermani, e nëse do të arrinte që të shitej do të kapte vlerën e 224 milion dollarëve.
Ndërkohë, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm, lidhur me këtë zbulim janë vënë në pranga 5 persona. Një nga të arrestuarit ishte një përfaqësues i kompanisë përgjegjëse për eksportin e bananeve, për të cilin prokurorët thanë se kishte qenë i pranishëm në inspektim, e po ashtu u dha efektivëve edhe emrat e 4 personave të tjerë që më pas u arrestuan. Mes tyre janë drejtuesi i plantacionit të bananeve, ku edhe dyshohet se është futur kokainë, dhe shoferi që çoi ngarkesën në port.
Ekuadori është bërë një vend kryesor tranziti për kokainën e prodhuar në Peru dhe Kolumbi. Vitin e kaluar, forcat e sigurisë ekuadoriane kapën më shumë se 200 ton drogë, shumica kokainë, e cila do të tregtohej për në portet e Europës dhe jo vetëm. Kjo situatë e trafikut të drogës dhe përplasjet mes bandave kanë bërë që presidenti Daniel Noboa të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Në janar, oficerët gjetën sasinë më të madhe të sekuestruar ndonjëherë në Ekuador – 22 ton kokainë – të groposur në një fermë derrash./ZËRI
Burimi