Deputetë dhe qeveritarë të përfshirë në trafikun e kokainës? Ja si përgjigjet Altin Dumani
Altin Dumani
TIRANË- Krimi i organizuar shqiptarë është një nga më të sofistikuarit deklaroi këtë të hënë në Kuvendin e Shqipërisë, kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Altin Dumani. Gjatë fjalës së tj në Kuvend, duke iu përgjigjur pyetjeve të bëra nga deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, në lidhje me krimin e organizuar shqiptarë dhe përfshirjen e deputetëve në trafikimin e kokainës, Dumani nuk dha detaje specifike, por tha se SPAK ka lidhur kontakte me agjencitë partnere në vendet e Amerikës Latine për bashkëpunime. I pyetur nëse beson se i vetëm mund të bëjë drejtësi, Dumani tha se SPAK nuk mund të japë rezultatet e duhura pa patur dhe bashkëpunimin e institucioneve të tjera.
Tomor Alizoti: Duket që dhe sot interesi për drejtësinë është i madh. E dëgjoj shumë shpesh shprehjen nga ju, ne nuk jemi të lidhur me politikën, unë mendoj se qënie njerëzore është qënie politike. Zotëri i nderuar do të jetë e vështirë për ju që të bëni drejtësi në një vend të padrejtë dhe mendoj dhe jam i bindur se në vende autoritare sistemi i drejtësisë kthehet vegla më e rrezikshme për të bërë padrejtësi. Në të gjitha sistemet autoritare të gjitha krimet ndodhin në emër të drejtësisë. Në shumicën e përgjimeve të agjencive të huaja dhe gazetave, nga Bild, franceze, belge, Shqipëria mbetet një vend në top list në transportin e kokainës, në një pjesë janë përfshirë qeveritare dhe deputetë. Kur ju vini në këtë sallë dhe raportoni për drejtësinë, si ndiheni kur vini raportoni në një vend që e dini se një pjesë e madhe janë të përfshirë në trafikun e kokainës. Pyetja konkrete: A keni marrë ju një nismë ose një hetim në lidhje me krimin e organizuar i cili është drejtuar drejt Sinaloas, Meksikës dhe po vjen në Shqipëri. A do mundeni ju ti garantoni shqiptarëve drejtësinë, kur dhe vetë ripërtëritja juaj institucionale varet nga mazhoranca, varet nga politika. Pyetja ime është e fundit: A besoni dhe ju vetë që në këtë vend, ju vetëm do të bëni drejtësi?
Altin Dumani: Tani lidhur me pyetjen e parë, që shkruan Bild apo shumë media të tjera sa i përket trafikimit të kokainës, tani krimi i organizuar shqiptarë është më i sofistikueri e kemi pranuar dhe ne, por hetimet tona tregojnë se grupet shqiptare janë në kontakte të drejtëpërdrejtë me kartelet e kokainës atje ku prodhohet. Portet e preferuara nuk janë portet shqiptare, janë ato të Gjermanisë, Italisë, Belgjikës dhe Hollandes. Grupet kriminale shqiptare synojnë trafikimin e drejtëpërdrejtë nga vendet e Amerikës Latine në portet europiane, atje ku është dhe konsumi më i madh i kokainës. Unë nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje por në raport gjeni të dhëna, që ne kemi vendosur kontakte thuajse me të gjithë vendet e Amerikës Latine. Kemi komunikime me ta dhe kjo patjetër është një gjë e mirë për të patur produkte konkrete. A do mund të bëni drejtësi? E para ne jemi organ i ndjekjes penale nuk japim drejtësi, ngrejmë akuzë në emër të shtetit, por në aq sa kontribojmë ne, unë e kam deklaruar dhe në emër të prokurorëve që duhet të shikohet mundësia për të konkuruar për të qenë pjesë e SPAK edhe pas mbarimt të afatit 9-vjeçar. Unë mendoj se dhe 9 vjet të jesh përfaqësues i SPAK është një nder dhe mjaftojnë për ti shërbyer institucionit. Patjetër kam dhjetëra argumente se pse mendoj se prokurorët e SPAK duhet të iu njihet mundësia që të rikandidojnë. A besoni që vetëm do bëni drejtësi? Zoti Alizoti unë e përmenda dhe më parë në fjalën time, ku përmenda rënien e numrit të referimeve, SPAK nuk është një ishull, SPAK i vetëm nuk mund të bëjë asgjë, prandaj ka dhe nevojë të bashkëpunjë me institucionet e tjera./ZËRI
Burimi