Debati për gjuhën shqipe në RMV, Rama: Nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese

Debati për gjuhën shqipe në RMV, Rama: Nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese

Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar debatin për gjuhën shqipe që po zhvillohet në Maqedoninë e Veriut. Në një aktivitet me të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”, Rama tha se gjuha shqipe nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese apo e përkohshme e partive politike, por një e drejtë e shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinjë.
“Unë nuk them që ata që besojnë në Gjykatën Kushtetuese të vendeve të tjera e kanë gabim, por unë mendoj se çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është çështje e ligjeve apo vullneteve të përkohshme të partive politike. Them të përkohshme se partitë politike zgjidhen 1 herë në 4 vjet dhe herë janë në një anë herë në tjetrën, por gjuha shqipe në Maqedoninë e veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë dhe një mënyrë të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve. Në një sens si ai që Arbën Xhaferri e tregon si ëndrrën e tij më të madhe, në sensin e integrimit të dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriu në sistemin e vlerave perëndimore, poltike etike e kulturore. Kjo është një gjë shumë e madhe për tu futur në labirinthe juridike që tanimë i përkasin të kaluarës, pasi shumë vite më parë Arbën Xhaferri dhe Ali Ahmeti bashkë me të tjerë, por unë këta të dy kam si dy kokat e shqiponjë së Ohrit, u vendos në piketat e bashkëjetesës paqësore dhe e shtet ndërtimit europian të Maqedonisë së atëhershme dhe Maqedonisë së Veriut sot. Nuk u vendos nga Xhaferri dhe Ahmeti, por nga shqiptarët të përfaqësuar në tavolinë nga Xhaferri dhe të vendosur në male nga Aliu dhe maqedonasve të përfaqësuar nga përfaqësuesit e tyre më të lartë të kohës,”-tha ndër të tjera Rama.
Ligji për përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut pritet të shqyrtohet nesër, 11 dhjetor, në Gjykatën Kushtetuese në Shkup. Kjo çështje deri më tani ka shkaktuar reagime të forta politike. Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit. Kjo përfshin gjuhën shqipe, pasi shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë prej 1.8 milionë të Maqedonisë së Veriut.
Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, ligji u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë. Tani, pas shtatë vjetësh, gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente