Dashnori, shumë më tepër se vëllai i Nuredin Dumanit! E lidhi me Talo Çelën, gjurmët nga Franca tek mega-grabitja e Rinasit
Dashnor Dumani
TIRANË- Për shumë vite, Nuredin Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuar të Policisë së Shtetit por edhe të drejtësisë. I identifikuar si një “killer” gjakftohtë dhe i pamëshirshëm, Dumani kishte fituar një famë të pamatë. Përgjatë disa viteve, nga 2018-2022 kur edhe u arrestua, dukej sikur emri i tij shfaqej thuajse në çdo vrasje që ndodhte në vend. “Shkëlqimi” i tij ishte i menjëherëshëm, duke eklipsuar edhe shumë të tjerë personazhë të botës së krimit, përfshirë edhe të vëllanë. Dashnor Dumani deri më tani ishte i njohur si vëllai i Nuredinit, por dosja e fundit e SPAK tregon se edhe ai, porsi i vëllai…di shumë. Emri i tij del i përfshirë në shumë ngjarje kriminale në zonën e Elbasanit dhe jo vetëm.
ZËRI ka vendosur që të hedhë më shumë dritë mbi këtë personazh, për të cilin shumë pak dihet, por që nuk e bën absolutisht më të pak të rëndësishëm në radhët e ‘malavitës’. Nëse një ditë…edhe ai si i vëllai do të vendoset në pranga, rrëfimet e tij mund të zbardhin po ashtu shumë ngjarje kriminale të cilat vazhdojnë dhe zënë pluhur në Prokurorinë e Elbasanit.
Herën e parë që Dashnor Dumani la gjurmë ishte 18 janari i vitit 2015. Së bashku me 3 persona të tjerë u kap me “C4” në qytetin e Durrësit. Në pranga bashkë me të përfunduan: Febjus Dauti, lindur në Has dhe banues në Durrës; Asllan Plaku lindur dhe banues në Durrës dhe Bledar Plaku lindur dhe banues në Durrës. Asokohe u zbulua nga një bisedë telefonike që kishte bërë Dauti se do të shkonin që të vendosnin tritol “me porosi”.
Minat që iu kapën grupit
Pasi kryenin porositë, grupi merrte paratë dhe më pas i ndanin me njëri-tjetrin. Shënjestrat nuk ishin domosdoshmërisht persona të caktuar, por edhe makina, komisariate policie dhe shtylla tensioni, apo ku do që të bëhet porosia. Në disa raste dilnin edhe nga zonat e tyre të influencës duke u future edhe në Krujë e Fushë Krujë. Herën që u kapën ishin nisur për “punë’. Punë që ndryshe nga herët e tjera nuk kishin mundur që ta përfundonin “me korrektësi” si shumë e shumë raste të tjera.
Kështu përfundoi në burg për herë të parë, ndërkohë që edhe i vëllai (Nuredini) kishte “bëmat” e tij. Para se të kthehej në Shqipëri, kishte ngritur një ‘karrierë’ jashtë vendit si shfrytëzues prostitucioni, vepër penale për të cilin gjithashtu ishte dënuar në Francë. Atje, kërkoi edhe azil me pretendimin se po ta kthenin në Shqipëri, do i rrezikohej jeta. Për të provuar kërcënimin tregoi për herë të parë se i vëllai ishte i përfshirë në grabitjen e Rinasit, duke parashikuar edhe përplasjen dhe përçarjen që do të ndodhte më pas. Por edhe pse u lut që të qëndronte në Francë, kërkesa nuk iu pranuar.
Me rikthimin në Shqipëri…iu bashkua të vëllait në botën e krimit, aty ku duket se Dashnori kishte zënë vend shumë para Nuredinit. Madje ky i fundit nga i vëllai njihet edhe me Talo Çelën, atë që më shpejt e bëri armik të përbetuar sesa mik!
Megjithatë, edhe pse mund të pritej se shumë ngjarje do i kishin kryer bashkë, Nuredini dhe Dashnori nuk kishin marrëdhënien më të mirë të mundshme. Nuk kishin sesi…pasi ishin ndarë në dy grupe rivale. Njëri (Dashnori) punonte për llogari të Çopjave me Talo Çelën, tjetri (Nuredini) ishte kthyer në një ndihmës të Erion Alibej në planin e tij për të marrë hak! Por kjo nuk do të thotë se nuk komunikonin bashkë. Në një episod të dosjes, edhe pse në burg në Francë, Nuredin Dumani, kërkon që të komunikojë me vëllanë e tij, Dashnor Dumanin. Nuredin Dumani, duke përdorur aplikacionin “SkyECC” i shkruan një të njohuri të tij (i paidentifikuar me emër) që t’ja çojë telefonin e tij të vëllait, Dashnorit.
Në bisedën e zbardhur nga SPAK, Nuredin Dumani i thotë të vëllait se Talo Çela ka dhënë detaje duke orientuar Policinë për vendin se ku duhet të kërkonin për ta. Më pas, në një moment tjetër i thotë se kishin një hasmëri të re në Durrës, atje ku disa persona që kërkonin t’i vrisnin. Por nuk kuptohet se për kë e kishte fjalën. Ndaj për të mbrojtur veten, i kërkoi që t’i tregonte t’i tregonte se çfarë dinte për Talo Çelën.
Një ndër pyetjet që Nuredin Dumani i bën të vëllait se “nga dilnin makinat për të bërë punë”, pra për të bërë vrasje. Më pas, i kërkon informacion për bazat e Talo Çelës dhe se ku ishin njerëzit që e mbështesnin grupit e tij. Në përgjigje, Dashnor Dumani i thotë se “makinat dilnin nga Elbasani”, por nuk i jep detaje të tjera lidhur me grupin e Talo Çelës, ku bënte pjesë edhe vetë.
Në të gjithë dosjen e SPAK, para hetuesëve duket se Nuredini nuk e kursen aspak të vëllanë. Madje tregon çdo episod që di për “punët e tij”. Pa e censuruar aspak emrin e të vëllait, para hetuesëve Dumani zbërthehet dhe jep emrat e personave të përfshirë në masakrën e Bradasheshit, pore dhe në grabitjene Rinasit.
“Dashi më ka treguar se në atë ngjarje (masakra e Bradasheshit) kanë marrë pjesë shumë persona, ku një prej tyre është Fatos Gosa ka dhënë në vijimësi informacione në lidhje me lëvizjet e Endrit Alibej natën e atentatit si dhë në ditë të tjera para atentatit. Atë natë para se ti bëhej atentati Endrit Alibej së bashku me mamanë e tij, bashkëshorten e tij, e cila është shtetase rumune dhe në atë kohë ka qenë shtatzënë. Nga vëllai im Dashi, kam mësuar se vrasjan e Endrit Alibej është tentuar që të bëhej edhe ditë të tjera, konkretisht 5-6 ditë para ngjarjes. Persona pjesëmarrës në këtë ngjarje kanë qenë Talo Çela, Altin Ndoci, Miri Haxhia, Dorian Shkoza, Mikael Qosja, Gent Sharra, Eljo Bitri, vëllai im Dashnor Dumani si dhe persona të tjerë që mund të dijë vëllai im. Në këtë ngjarje, atë natë Gent Sharra ka pasur rolin e organizimit të vrasjes sepse ai ka mundësuar vënien në dispozicion të makinës tip “Benz”. Atë natë makinën ka shkuar dhe e ka marrë në këtë shtëpi Gent Sharra së bashku me vëllain tim. Pasi Gent Sharra ka marrë makinën ia ka dhënë Dashit, i cili më pas e ka dëguar tek vendi tjetër që përdorej si bazë nga atentatorët. Dashi më ka treguar se atë natë ka qenë në makinën e atentatorëve së bashku me Altin Ndocin, Talo Çelën dhe Mir Haxhinë.
Për këtë ngjarje unë kam folur me Dashin nëpërmjet një telefoni të kriptuar, ku edhe e kam pyetur nëse ai ka marrë pjesë në atë ngjarje (masakrën) dhe çfarë roli ka patur. Dashi më ka treguar se ai ka marrë pjesë tek vrasja e trefishtë e Bradasheshit, ku ka qenë në një makinë me atentatorët por nuk ka goditur sepse ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe është hutuar. Në bisedë me Dashin me telefon të kriptuar SkyECC vetëm kaq kam biseduar në lidhje me këtë ngjarje. Ndërsa detajet Dashi mi ka treguar kur ka qenë në Shqipëri para se të largohej në Gjermani në vitin 20169, por në atë kohë nuk më tregoi se ai kishte marrë pjesë këtë gjë ma pohoi më pas kur ai ndodhej në Gjermani kur kemi biseduar me telefon të kriptuar. Nga Dashi kam mësuar se në atentatin ndaj Endrit Alibej dhe të afërmve të tij kanë marrë pjesë 2 makina, në të cilat kanë qenë Talo Çela, Miri Haxhia, Altin Ndoci, Dorian Shkoza dhe Dashi. Gjithashtu ka patur edhe persona të tjerë që kanë ndihmuar atentatorët atë natë, por nuk i di me emra konkret,”-rrëfen Dumani.
Në një moment tjetër tregon sesi ka bërë plane me të vëllanë për të vrarë Talo Çelën. Në rrëfime, por edhe në bisedat që janë zbardhur nga “SkyECC”, Nuredin Dumani paralajmëron të vëllanë, se mund të arrestohet nga policia, për shkak të deklaratave që Talo Çela ka dhënë në media.
“Nuredin Dumani, i shprehet vëllait të tij Dashnor Dumani, të cilit i thotë se duhet ti kishin shfarosur Kelin (Mikael Qosjan), Talon dhe të tjerët pasi ata mund të kishin vrarë Nuredinin dhe Dashin nëse ky i fundit do kishte qenë në Shqipëri. Nuredini i kërkon Dashit ta ndihmojë për të kapur Talo Çelën, për të cilin shprehet se është bukë shkelur dhe do ja marrë shpirtin. Nuredini i shpjegoni Dashit se, policia mund ta arrestoj Dashin pas deklaratave që Talo Çela ka bërë në media. Nuredini, i tregon Dashit se nuk ka qen me Talon dhe Altinin në vrasjet që ka kryer në Durrës, por mekaniku (ku i referohet Klevis Allës), ka përfshirë Talon dhe Altin Ndocin. Nuredini i tregon vëllait të tij Dashit se ka biseduar me Talo Çelën dhe Mikael Qosen, të cilët kanë akuzuar Nuredinin dhe Dashin për vrasjet.
Në vijim Nuredini i shpjegon i shpjegon vëllait të tij se pas vrasjes së Besmir Haxhisë, Nuredin Dumani ka biseduar me Kelin (Mikael Qosen), të cilit i ka kërkuar ti japë Talo Çelën, ndërsa Keli-i-ka-ofruar-2-milion-Buro-dhe-Talon-në këmbim-të vrasjes së “Krymit” (Erion Alibej) nga Nuredini. Nuredini ka pranuar duke i kërkuar 1 milion Euro dhe pasi të jepte prova që mund ta kapte krymin (Erion Alibej) Keli duhet ti jepet Talo Çelën në të kundërt nuk bëhej. Nuk kanë rënë dakord dhe më pas Keli e ka pyetur Nuredinin se përse i ka vrarë njerëzit e tij. Nuredini i tregon vëllait të tij se Kelit (Mikael Qoses) i ka vrarë dy njerëz, djalin e hallës me 25 thika dhe shokun më të ngushtë Ilin që ka patur servis,”- thuhet më tej në dosje.
Provë kjo që komunikim kanë pasur, por sa më tej kanë bashkëpunuar, kjo mbtetet që të zbardhet vetëm nga SPAK. Por jo gjithmonë vëllai i vogël kërkon të dijë shumë prej të madhit. Në dosje, në një episod, Nuredini ia del që të retushojë faktin që i vëllai ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit.
Në takimin që ka pasur me Nuredin Dumanin, Erion Alibej kujton se nuk ia kishte vënë në diskutim fare faktin që i vëllai i Dumanit kishte gisht në masakrën që iu bë familjes së tij. Por sërish, Nuredini ia kishte mohuar edhe pse e dinte fare mirë, të treguar në vetë të parë nga i vëllai se çfarë kishte ndodhur atë natë.
“Në fund të bisedës me Nuredinin, pasi ai mbaroi shpjegimet e tij, unë fillova të jap shpjegimet e mia dhe në fund të bisedës i thashë, duke e akuzuar drejtpërdrejt që:”…Dashnori, vëllai yt, ka qenë ekzekutor, në ngarjen e Endritit, ndërsa ti ke qenë në burg në Francë, dhe vëllai tjetër ka qenë në burg në Shqipëri…Nuredinit, sapo i thashë për Dashin, nuk e pranoi atë që i thashë unë. Unë i them Nuredinit edhe sikur Dashi, vëllai yt, të ketë marrë pjesë në ekzekutimin e familjarëve të mi, unë bëj be dhe vë dorën në Kuran përpara teje dhe betohem që gjakun e keni të falur nga unë…Por vetëm më rri besnik, tregohu i sinqertë, m’i trego të gjitha gjërat sesi janë…”-ka treguar Erjon Alibej.
Sesi është zhvilluar biseda më pas, vetëm Nuredin Dumani dhe Erion Alibeaj e dinë, por një gjë është e sigurtë; “killeri” arriti që të binte “Krymin” që të mos merrte hak tek i vëllai. Nga sa rrodhën ngjarjet më vonë, u kuptua se ia kishte dalë.
Përjashtim në rrëfimet e gjata të Dumanit nuk bën as grabitja e Rinasit! Dashamir Dumani (ashtu siç ka treguar i vëllai) rezulton të jetë pjesëmarës dhe në super-grabitjen me armë të 10 milion eurove në avionin e linjës Tiranë-Vjenë, i cili po bëhej gati për nisje në pistën e aeroportit të Rinasit. Nuredin Dumani ka treguar se gjatë një bisedë që ka bërë më të vëllain, Dashnorin, ky i funditi kishte treguar se informacionin për kalimin e vlerave të parave e ka marr Eldi Çala nëpërmjet një vajze, e cila ishte punonjës policie në Rinas.
Se në sa ngjajrje të tjera Nuredini ka rrëfyer për të vëllanë, këtë e di vetëm ai dhe hetuesit që e kanë marrë në pyetje, por një gjë është e sigurtë; nder nuk i ka bërë! Nëse do të kishte vetëm mesazhe në “SkyECC” (që në të gjithë dosjen nuk ka!), Dashnor Dumani me shumë gjasa nuk do të kishte asnjë akuzë mbi shpinë, por ato që ka treguar i vëllai do t’i rëndojnë shumë në momentin kur të përballet me drejtësinë shqiptare. Deri sa të vijë ajo ditë, Dashnor Dumani ‘shijon’ lirinë. Askush nuk di asgjë për të, as ku është, as nga kush fshihet, as nëse ka pasur ndonjë përpjekje që edhe ai të bëhet i penduar i drejtësisë si i vëllai. Ndoshta në dosjen e radhës mund të mësojmë më shuëm…/ZËRI
Burimi