Çopjat planifikonin terror në Elbasan/ Do vendosnin tritol edhe në Drejtorinë e Policisë, shënjestra ishte “Krymi”

Çopjat planifikonin terror në Elbasan/ Do vendosnin tritol edhe në Drejtorinë e Policisë, shënjestra ishte “Krymi”

Hajdar Çopja, Endrit Alibej

ELBASAN- Më 18 shtator të vitit 2020, Drejtoria Vendore e Policisë së Elbasanit mund të ishte hedhur në erë! Ky plan, që më shumë se një hakmarrje mes bandave do i përngjante një sulmi terrorist ishte ‘thurur’ nga Hajdar Çopja.
Arsyeja? Brenda, një nga dhomat e shoqërimit ishte armiku i tij, Erion Alibej. I njohur me nofkën “Krymi”, Alibej sapo ishte vendosur në pranga si porositësi i disa nga vrasjeve që kishin tronditur qytetin e Elbasanit. Por mesa duket, as në burg nuk ishte i sigurtë nga hasmi i tij që ende ishte në liri. 

Sipas të dhënave të siguruara nga “Euronews Albania”, grupi kriminal ‘Çopja’ që u godit pak javë më parë nga SPAK, planifikoi të vendoste tritol në dhomat e shoqërimit ditën kur u arrestua Erion Alibej. Këtë plan, grupi ‘Çopja’ e ka komunikuar në SKY ECC me punonjësin e Policisë, Martin Musaj. Ky i fundit, në vend që të përpiqej që të ndalonte aktin terrorist, i informonte se kamerat e sigurisë në pjesën e jashtme të Drejtorisë së Policisë nuk punonin. Madje i siguronte se kështu do e vendosnin shumë lehtësisht dhe pa u pikasur tritolin. 
Deri në këtë pikë, plani i thurur nga Çopjat ishte në vijë dhe gati për t’u ekzekutuar. 
Madje Mikael Kamami, i cili në hierarkinë e grupit kriminal ‘Çopja’ shfaqet si ‘koordinator i vrasjeve’, u fut në lojë duke ofruar deri në 4 milion euro për atentatin. Tritoli, që sipas përgjimeve duhet të ishte deri në 5 kilogramë, do të vendosej me dronë. Gjithçka ishte gati, por fatmirësisht grupi u tërhoq në kohë pasi i arrestuari Erion Alibej ruhej nga forcat speciale. Bashkë me të mund të vriteshin edhe shumë punonjës policie dhe të shoqëruar apo arrestuar të tjerë. Kështu që plani u la në mes.
Fati ose ndërgjegjia e kundërshtarëve të tij, në këtë episod i shpëtuan jetën “Krymit’.
Erjon Alibej është akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për porositjen e të paktën dy vrasjeve, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Ai u vu në pranga pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe mikut të tij, Henrik Hoxha. Erion (Andrea) Alibej (Dylgjeri) e ka nisur fillimisht si trafikant kokaine, kur ishte 27 vjeç, në Itali. Bashkëpunimin e kishte me të vëllanë, Endrit Alibejn, me të cilin u kap në vitin 2013. Endriti ishte koka e grupi që përbëhej nga 12 shqiptarë, por me vrasjen e tij, Erion Alibej nuk e kishte më prioritet trafikun e kokainës, por hakmarrjen./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente