Çifti shqiptar mashtrojnë të moshuarën greke, i vodhën 500 mijë euro pasuri
Foto ilustruese
TIRANË- Gjykata e Apelit në Selanik dënoi me 6 vite burg një çift shqiptarësh që kishin mashtruar një 82-vjeçare për të cilën kujdeseshin, të cilës i kishin marrë mbi 500 mijë euro cash dhe pasuri të patundshme. Sipas mediave të huaja, çifti shqiptar, të dy të paidentifikuar me emër, kishin përdorur një prokurë noteriale dhe vërtetime psikiatri për t’i marrë pasurinë të moshuarës, edhe pse ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Por në dokumentet që kishin nxjerrë shqiptarët, ajo cilësohej si një person që kishte pamundësi për të nënshkruar në emër të saj pasi vuante nga demenca dhe probleme të tjera të shëndetit mendor.
E gjithë skema u zbulua pas denoncimit të bërë nga të afërmit e të moshuarës pas vdekjes së saj në shtator 2017, kur u njoftua për prokurën për dhënien e pronave të luajtshme dhe të paluajtshme familjes, për ndihmësen dhe burri i saj. Sipas aktakuzës, kishte pasur prokura të njëpasnjëshme që udhëzonin çiftin të menaxhonin llogaritë e saj bankare, të shisnin pronat e saj dhe t’i transferonin vetes shtëpinë ku jetonte 82-vjeçarja në qendër të Selanikut.
Edhe pse u dënuan, çifti theksoi se e moshuara u ka dhënë pasurinë e saj me dëshirën e saj, sepse ishin përkujdesur për të për shumë pak para, por edhe sepse nuk kishte marrëdhënie me të afërmit e saj. Tashmë me vendime të gjykatave civile u anulua testamenti me prokurë dhe kalimet e pasurive të paluajtshme./ZËRI
Burimi