Çfarë po ndodh në Veri?/ Svelça: Vuçiç do arrestohet! Petkoviç i përgjigjet: Vetëm mburresh
Xhelal Svelça dhe Petar Petkoviç
KOSOVË-Në veri të Kosovës sot janë shfaqur disa postera me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Posterat janë vendosur në katër komunat veriore, me mbishkrimin “Komandant suprem po të presim”. Këto postera janë shfaqur në katër komunat veriore, Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe veri të Mitrovicës. Mësohet se posterat janë vendosur në muret e ndërtesave, shtëpive, lokaleve dhe hapësira të tjera publike.
POSTERI
Shaqja e tyre ka ngritur reagime nga zyrtarët e Kosovës, ku Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se nëse Vuçiç është nisur drejt Kosovës pa marrë leje zyrtare, ai do të arrestohet.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkruan Sveçla në Facebook.
Nuk vonoi dhe një përgjigje erdhi nga kryenegociatori i Serbisë për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviç, i cili u shpreh se Svelça frikësohet nga imazhi i presidentit serb.
‘Tani Sveçla i frikësohet edhe një posteri me imazhin e Aleksandër Vuçiç që dikush e ka ngjitur, ndaj kërcënon se do ta arrestojë! E vetmja gjë që mund të bëjë është të mburret në rrjetet sociale!”, shkroi Petkoviç në “X”.
Shfaqja e këtyre posterëve në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin. Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter./ZËRI
Burimi