Çështjet Evropiane/ Miratohet ‘Paketa e Maleve’, PD kundër! BEI do hapë zyrë në Shqipëri

Çështjet Evropiane/ Miratohet ‘Paketa e Maleve’, PD kundër! BEI do hapë zyrë në Shqipëri

Jorida Tabaku

TIRANË-Komisioni i Çështjeve Evropiane miratoi sot projektligjin “Paketa e Maleve” vetëm me votat e mazhorancës. Opozita qëndron kundër këtij projektligji, ku kryetarja dhe njëkohësisht deputetja e PD-së Jorida Tabaku e cilësoi “Paketën e Maleve” si një ligj antikushtetues, i cili shkel hapur parimet e një tregu të lirë dhe konkurrues. Ajo akuzoi mazhorancën për krijimin e një skeme të re për të shpërblyer klientët politikë në prag zgjedhjesh, duke shpërndarë prona publike pa asnjë mekanizëm kontrolli.
Jorida Tabaku: Ju sot po sillni një projektligj që bie ndesh me vetë ligjet që keni miratuar në vitin 2020 dhe me parimet e prokurimit publik që kërkojnë transparencë dhe garë të hapur. Ky nuk është as integrim europian, as reforma që na çojnë përpara – ky është një ligj i pastër korruptiv! Pse një qytetar nga diaspora nuk mund të marrë pjesë në këtë proces? Pse prona u jepet atyre që e kanë zaptuar për 10 vjet dhe jo nëpërmjet një gare të hapur? Kjo nuk është as reformë, as zhvillim ekonomik – kjo është legalizim i vjedhjes dhe favorizim i klientëve tuaj. Ju vetë keni deklaruar se do të hiqni dorë nga përjashtimet me ligj, por sot vini dhe sillni një projektligj që pikërisht krijon përjashtime. Ky nuk është integrim europian, kjo është hipokrizi politike!
Ky projektligj, që ka të bëjë me zhvillimin e rajonit të maleve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, do t’i kalojë Kuvendit për diskutim dhe miratim në seancë plenare. Miratimi i tij u realizua pas një vendimi të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) që rrëzoi vendimin e KQZ-së për bllokimin e projektligjit.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për “Paketën e Maleve”, i jep të drejtën të gjithë “investitorëve strategjikë” që të aplikojnë për të blerë prona shtetërore me tarifën simbolike 1 euro, me kushtin e vetëm që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar. Këshilli i Ministrave do të miratojë zonat me përparësi zhvillimi dhe më pas do të jetë MEKI, ajo që do të krijojë një strukturë të posaçme që të bëhet inventarizimi për çdo zonë.
Në Komision është diskutuar sot edhe marrëveshja me Bankën Evropiane të Investimeve, e cila do të hapë një përfaqësi edhe në Shqipëri. Endrit Yzeiraj, zv/ministër i Jashtëm u shpreh se hapja e zyrës në Shqipëri është një gur themeli për integrimin e vendit në BE. Kryetarja e Komisionit të Integrimit dhe Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, tha se BEI po vjen për të ndaluar abuzimet me fondet nga qeveria.
“E nisa ditën sot edhe duke dëgjuar komentet në mbledhjen e grupit parlamentar. Që ta kuptojnë që të gjithë, hapja e grup-kapitujve nuk do të thotë që përfundoi procesi, e rëndësishme është të mbyllen grup-kapitujt. Ajo që nuk ndodhi për 13 vite po ndodh tashmë sot dhe nuk është ndonjë arritje e madhe. BEI po vjen për të ndaluar abuzimet me fondet e BE, sepse shpërdorimi i fondeve të IPARD është njollë e madhe për institucionet shqiptare”, tha deputetja demokrate. 
Edhe mazhoranca komentoi marrëveshjen duke mbështetur Yzeirajn, ku ligjvënësi socialist Etjen Xhafaj tha se “hapja e dy grupkapitujve brenda këtij muaji është patjetër gur themeli, ashtu si dhe hapja e dy grupkapitujve të tjerë në qershor”.
Banka Evropiane e Investimeve jep kredi me norma të ulëta interesi për projekte me rëndësi, kryesisht në transport, sektorin e furnizimit me ujë dhe në energji. 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente