Berisha mban fjalimin e parë nga selia e PD, sulmon Ramën: Puçist! Krijo qeveri teknike, ndryshe mosbindja civile është gati!
Sali Berisha
TIRANË- Pas thuajse një viti, Sali Berisha mbajti një fjalim para mbështetësve në oborrin e selisë së Partisë Demokratike vetëm disa orë pasi u lirua nga GJKKO. Në fjlën e tij të parë, Berisha thotë se u përpoqën të blejnë heshtjen e tij por nuk ia dolën dot. Ndaj edhe e lanë në “arrest shtëpie”. Gjatë fjalës së tij, Berisha falenderoi edhe gjyqtaren, e cila i dha lirinë duke thënë se nderoi ligjin dhe moralin e Kushtetutës. Në fund, Berisha i dërgoi një mesazh edhe kryeministrit Edi Rama. Këtij të fundit i kërkoi sërish qeveri teknike.
“Kam dhe një fjalë të fundit për autorin kryesor të grushtit të shtetit. Edi Rama. Krijo qeverinë teknike, mos e zvarrit kot narko pushtetin tënd se veç Zoti e ka thënë që të kthehem unë pastroni shtëpinë. Ne do pastrojmë shtëpinë me ndihmën e Zotit. Krijo qeverinë teknike, se mosbindja civile është gati në radhë. Këta burra e gra do ketë liderin me vete. Piramida e mashtrimit sot u shfaros përfundimisht. Do përgjigjesh për 1 vit që ke lënë kryetarin në arrest. Do përgjigjesh për atentatin ndaj tij. Për dy vite që grabite flamurin e PD-së. Ke vetëm një rrugë, qeveri teknike, pse ke frikë nga vota e shqiptarëve. Sot ishte një fitore. Ju ftoj të bashkohemi të gjithë. Boll keni vuajtur ju dhe Shqipëria për shkak të Edi Ramës. Boll keni qenë peng, Shqipërinë do e shpëtojmë së bashku. Triumfojmë mbi çdo armik, është radha jonë. O sot o kurrë!,”-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij.
FJALA E PLOTË E BERISHËS:
Protokolli e parashikonte ndryshe, do të bëni pak durim. Të nderuar miq, u krye dhe kjo punë! Piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane mori sot goditjen më fatale. Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe. Sot, Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të demokracisë. Sot është dita kur monstra e demokracisë Edi Rama dhe Soros dështuan përfundimisht! Dështuan për të shkatërruar opozitën shqiptare në grushtin e shtetit që i bënë asaj. Sot ne së bashku triumfuam. Ne qëndruam dhe vetëm qëndruam për të vërtetën dhe vlerat që besojmë, mbas një kohe të gjatë që luftuam për drejtësinë. Sot është një festë për opozitarët. Sot është një ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë, edhe për kundërshtarët e opozitës. Sot ka fituar e vërteta, jo Sali Berisha. Këtë vit kam thyer rekodin tim për numrin e fjalimeve. 331. Tani e tutje, veprimi do të jetë kryefjala e Sali Berishës. Dua të falenderoj çdo shqiptar, familjen time, por kauza e drejtë nuk humbet kurrë. Falenderoj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë dhe të gjithë demokratët. Dua të falenderoj çdo shqiptar kudo që janë. Pa ju, kjo fitore nuk do të ishte e mundur. Një mirënjohje të thellë kam edhe për miqtë e Shqipërisë në rajon dhe në botë për mbështetjen dhe angazhimin e tyre në favor të Sali Berishës. Falenderoj edhe gjykatësen që nderoi ligjin dhe moralin e ligjit dhe Kushtetutës, uroj që ligji dhe morali të udhëheqë çdo punonjës të shtetit shqiptar. Të dashur miq, u përpoqën të shkatërrojnë PD si forcën kryesore opozitare. U përpoqën që të asgjesojnë politikisht Sali Berishën sepse vendosi që të luftonte për ju. U përpoqën që të fshijnë historinë, pluralizimin, NATO-n, luftën kundër krimit të organizuar. Nuk ka shumë opozita që t’i mbijetojnë një sulmi të tillë, por ne ia dolëm, triumfuam. Hap pas hapi ne i fituam betejat. Mendoni sa fitore arritëm në këtë vit shumë të vështirë. Kujtoni se e kemi shtruar rrugën që do sjellë PD në pushtet. Na përçanë dhe u bashkuam. Na hodhën barin, ne ua kthyem në grazhdë! Na izoluan por ne sot kemi mbështetjen më të madhe ndërkombëtarë që kemi pasur ndër vite. U përpoqën që të blinin heshtjen e Sali Berishës por u bënë qesharak me veten, a blihet heshtja e Sali Berishës? Do përhapim dritën e rrugës së shpresës. Kombi ynë duhet të jetë kombi i shpresës dhe jo i narkotrafikut. Kjo fitore nuk ka rëndësi vetëm për ne, por edhe për ata që vijnë pas nesh, por edhe për të ardhmen. Kjo arritje është për brezat, do u japë dritë. Kjo arritje është se në shqiptarët nuk e deleguam kurrë ndërgjegjien e tyre, por e mbajtën siç e ka dhënë Zoti. Nuk pranuam që të na caktonin kryetarin. Ju qëndruat për ato grusht vlerash që duhet të jetojë njeriu. Prandaj edhe sot jemi më pranë se kurrë me triumfin tonë dhe në misionin tonë. Fjala e fundit për autorin kryesor për grushtin e shtetit, Edi Rama krijo qeverinë teknike! Se vetë Zoti e ka thënë, që të kthehem unë, pastroni shtëpinë, ne do të pastrojmë shtëpinë tonë. Me ndihmën e Zotit! Krijo qeverinë teknike se mosbindja civile është gati në radhë. Këta burra dhe vajza do të kenë liderin e tyre me vete. Sot përgjigjesh si puçist për grushtin e shtetit që i bëre opozitës. Do përgjigjesh për atentatin që organizove kundër tij me qëllim që ta heshtje. Prandaj ke vetëm një rrugë qeveri teknike, do të shkojmë në zgjedhje të lira. Pse ke frikë nga vota e lirë Edi Rama? Sot ishte vetëm një fitore. Shqipërinë do ta shpëtojmë bashkë! Së bashku triumfojmë mbi çdo armik. Është radha jonë, fitore, fitore, fitore./ZËRI
Burimi